Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me kryesuesen Shpresa Kurteshi Emini dhe drejtorët komunalë, kanë bërë sot homazhe tek lapidari i heroit të kombit, Abdullah Tahiri, në Malishevë.
“Këtë vit, Flaka e Janarit i kushtohet dëshmorit të kombit, Abdullah Tahiri, i cili u flijua për lirinë, pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës. Tash e tutje, ai do të jetë në piedestalin më të lartë të lirisë, pasi do të vendoset shtatorja e tij sivjet, në vendin ku është arrestuar. Është njëra nga figurat më të rëndësishme historike, jo vetëm të Anamoravës, por të gjithë popullit shqiptar. Lavdi e përjetshme veprës së tij”, ka deklaruar Ismajli, pas homazheve.
Kryetari i Këshillit të fshatit Malishevë, Latif Maliqi, e ka falënderuar kryetarin Haziri që manifestimin “Flaka e Janarit 2020”, ia dedikoi heroit Abdullah Tahiri.
“Jemi ndier të nderuar dhe të privilegjuar që “Flaka…” e sivjetme i dedikohet figurës së Abdullah Tahiri, pasi ne e kemi pasur idol në Malishevë figurën e tij. E falënderoj kryetarin Haziri, nënkryetarin Ismajli dhe të gjitha ata që kanë kontribuar që ky vit të shënohet me emrin e Abdullah Tahirit. Ai nuk luftoi për vete, por për neve, që ta gëzojmë lirinë”, tha Maliqi.
Më pas, Ismajli me bashkëpunëtorët, kanë vizituar familjen e heroit Abdullah Tahiri, të cilët i ka falënderuar ish-i burgosuri politik, Bejtullah Tahiri.
Ndërkohë, nënkryetari Ismajli ka vizituar edhe familjen e heroit Kadri Zeka, në 28-vjetorin e rënies, ku është pritur nga Shaip Zeka.
Ismajli, në emër të kryetarit Haziri, ka konfirmuar se sivjet do të vendoset edhe shtatorja e heroit,
Kadri Zeka, në një vend meritor në Gjilan.
Përfaqësuesi i familjes Zeka, Shaip Zeka, e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe nënkryetarin Ismajli për nderin që ia kanë bërë familjes së tij me vizitën dhe lajmin për vendosjen e shtatores.