Nga Kardifi ku është e grumbulluar kombëtarja shqiptare në prag të miqësores me Uellsin, ka folur Ardian Ismajli.
Futbollisti që aktivizohet me Spezian në Serinë A, vlerësoi maksimalisht dy takimet miqësore të muajit qershor dhe tha se janë teste ideale për të parë gjendjen e skuadrës në prag të eliminatoreve të shtatorit.
Si është atmosfera dhe si po i prisni këto dy miqësore, që vijnë në fund të një sezoni të ngarkuar?
Si gjithmonë fundi i sezonit është i ngarkuar, pasi të gjithë kanë qenë të angazhuar në ekipet e tyre dhe kanë bërë shumë mirë. Tani kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duam të shohim ku jemi në prag të dy përballjeve eliminatore në muajin shtator. Atmosfera si gjithmonë është shumë e mirë dhe grupi është shumë i mirë, ndaj besoj që do të kalojmë mirë.
A keni ndonjë ide se çfarë mund të marrim nga këto miqësore?
Në çdo ndeshje ne futemi për të bërë mirë, por pse jo edhe për të fituar, pavarësisht se janë vetëm miqësore., Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne jemi goxha të fortë, ndaj objektiv primar kemi fitoren. Për momentin jemi të fokusuar të bëjmë më të mirën në këto ndeshje.
Tani ju të repartit të mbrojtjes po e forconi bashkëpunimin, duke qenë se luani të gjithë bashkë në Itali…
Është shumë e vërtetë, pasi ka qenë viti im i parë në Serinë A dhe me Gjimshitin e Kumbullën po përshtatemi shumë mirë. Megjithatë ne jemi shokë me njëri-tjetrin dhe njihemi mirë, ndaj kjo besoj se është çelësi i suksesit.
Kur do ta shohim golin e radhës të Ismajlit?
Besoj se do të vijë në momentin e duhur, por nuk ka rëndësi kush shënon, pasi më shumë duam të fitojmë e të festojmë të gjithë së bashku. /SS/