Përveç Kamenicës, sot në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës ka filluar gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/20, raporton Ekonomia Online.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e procesit mësimor.
Drejtori i Departamentit të Arsimit Para-universitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, në një intervistë për Ekonomia Online tha se sipas informacioneve që kanë nga drejtoritë komunale sot në tërë Kosovën ka filluar mësimi, përjashtim për Komunën e Kamenicës për të cilën nuk e dinë nëse ka filluar mësimi për shkak të reformave që po zhvillohen atje.
“Ministria e ka përgatitur kalendarin me udhëzimin administrativ për vitin shkollorë 2019-2020 dhe në kuadër të kalendarit shkollorë janë planifikuar sigurisht edhe ditët e pushimit ditët e festave dhe natyrisht edhe aktivitetet e tjera kulturore që i zhvillojnë nxënësit në kuadër të institucioneve shkollore”.
“Sot fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollorë 2019-2020, ne kemi qenë në kontakt të përhershëm me drejtoritë komunale të arsimit dhe sipas informacioneve sot ka filluar mësimi në tërë arsimin parauniversitarë të Kosovës, vetëm nga një komunë nuk kemi informacione, në komunën e Kamenicës dihet atje për shkak të disa reformave që janë duke u zhvilluar në atë komunë. Ne nuk kemi informacione se si është zhvilluar sot procesi mësimorë a ka filluar në të gjitha institucionet apo ka probleme siç kanë qenë edhe më herët”, tha ai për Ekonomia Online.
Istogu tha se të gjitha shkollat janë të përgatitura dhe të pajisura me lëndë djegëse.
“Mund të them që në aspektin teknik është obligative e shkollave dhe drejtorive komunale të arsimit, sipas informacioneve të gjitha shkollat drejtoritë komunale i kanë pajisur me lëndë djegëse për të krijuar kushte sa më të mira për fillimin e këtij gjysmëvjetori të dytë”, tha ai për EO.
Zëvendësdrejtori i shkollës fillore “Meto Bajraktari”, Njazi Ukshini, në në një prononcim për Ekonomia Online është shprehur se mësimi ka filluar normalisht dhe pa asnjë problem në shkollën ku menaxhon.
“Sot është punë e mbarë, përgatitjet janë bërë gjatë pushimit ka filluar jashtëzakonisht mirë mungesa nuk ka as të nxënësve as të personelit mësimorë të arsimit. Të gjitha janë në rregull, nuk ka kurrfarë problemi”.
“Edhe prej anës së tyre është shumë mirë, gjithë kohën kemi qenë në koordinim me Ministrinë e Arsimit kështu që mësimi është duke u mbajtur shumë në rregull dhe pa asnjë problem, asnjë mungesë”, tha ai për Ekonomia Online.