Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se gjatë sezonës së verës ka qenë interesimi i jashtëzakonshëm nga ana e bashkatdhetarëve për të blerë ofertat e VALA-s, për të cilën Istrefi shprehet falënderues ndaj tyre.
Istrefi shkruan se është jashtëzakonisht i lumtur me faktin që produktet dhe shërbimet e Telekomit të Kosovës janë shfrytëzuar nga bashkatdhetarët dhe nga vizitorët e huaj brenda këtij sezoni veror.
Ai thotë se kjo po dëshmohet më së miri nga të dhënat zyrtare të frekuentimit dhe shitjes, veçanërisht në Pikën kryesore të Vala-s në Sheshin “Nëna Tereza” në kryeqytet, ku vërehet një rritje e konsiderueshme e kërkesave për shërbimet tona.
“Sa për ilustrim në tre muajt e fundit, saktësisht për periudhën Maj, Qershor dhe Korrik, Qendra e Biznesit Vala në Shesh, rezulton që ka pasur ngritje të të hyrave mbi 28 për qind dhe ky trend pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të fundit të muajit gusht. Jo vetëm në pikat e shitjes në Prishtinë, por edhe në të gjitha qendrat regjionale është vërejtur një rritje e ndjeshme e shfrytëzimit të pakove të kombinuara me numrat PrePaid dhe PostPaid.”, ka shkruar Istrefi.
Istrefi ka shkruar se për të mirëpritur dhe për t’ua lehtësuar bashkatdhetarëve qëndrimin në vendlindje, VALA ka organizuar kampanja speciale nëpër të gjitha qytetet e Kosovës dhe në pikat kufitare.
“Gjatë këtij sezoni veror, VALA ka ofruar oferta atraktive për të gjithë konsumatorët që kanë vizituar Kosovën apo që kanë pushuar në bregdetin shqiptar apo në vendet e regjionit duke shfrytëzuar shërbimet e telefonisë mobile dhe internetit të shpejtë”, shkruan ai.
“Edhe sivjet ne arritëm që duke prezantuar ofertat tona tepër të mirëpritura nga të gjitha grupmoshat e konsumatorëve, bëmë që VALA të ishte prezent kudo në çdo cep të Shqipërisë dhe se konsumatorët tanë ishin shumë të kënaqur me shërbimet tona, e kjo gjë na bëri që sot të shprehim falënderimin e thellë për të gjithë diasporën dhe pushuesit, të cilët i qëndruan besnik shërbimeve dhe produkteve të Telekomit të Kosovës”, shton Istrefi.