Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi përmes një postimi në llogariën e tij në Facebook ka bërë të ditur se rrjeti mobil VALA mbetet operatori më i preferuar për vizitorët (InBound Roamers), raporton EO.
Sipas tij janë mbi 156 mijë përdorues që kanë përzgjedhur VALA-n, ndërsa krahasuar me vitet paraprake ky numër është dyfishuar.
Ky është postimi i Istrefit:
Jam i entuziazmuar me faktin që rrjeti mobil i VALA-s mbetet operatori më i preferuar për vizitorët (InBound Roamers).
Në këtë moment, në rrjetin tonë mobil janë të evidentuar mbi 156 mijë përdorues/numra që kanë përzgjedhur VALA-n si partnerin më të besueshëm për komunikim.
Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar dhe vitet tjera paraprake, rezulton se kemi dyfishin e këtyre vizitorëve që janë të lokalizuar nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës, duke qenë të lidhur me rrjetin mobil të VALA-s.
Kualiteti i shërbimeve dhe shpejtësia e internetit 4G/LTE janë përcaktues në përzgjedhjen e VALA-s të të gjithë atyre, qoftë bashkëatdhetarëve apo vizitorëve të huaj që gjatë këtyre muajve të verës ndodhen në vendin tonë.
Siç mund të vërehet edhe në tabelën dhe në grafikun e mëposhtëm që duke krahasuar periudhën e njëjtë nëpër vite të ndryshme, përkatësisht katër vitet e fundit, VALA ka shënuar rekord sa i përket vizitorëve në rrjetin e saj.
Kjo performancë e rrjetit tonë mobil dhe ky përkushtim i stafit të Telekomit të Kosovës, më inkurajojnë se jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivat dhe strategjinë e përcaktuar nga Menaxhmenti dhe Bordi që kompania jonë të vazhdojë të jetë lider në tregun e telekomunikimit në vend.