Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi me anë të një postimi në Facebook ka thënë se prishja e koalicionit LDK-VV nuk ka ndodhur sot.
Sipas tij, ka kohë që këto dy parti kanë treguar mosbesim ndaj njëra-tjetrës.
Isufi shtoi se qëllimi është të mos merren përgjegjësi, por të kalohet në një fazë tjetër të krijimit të kushteve për zgjedhje dhe për të fituar një grusht vota më shumë.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Isufit:
Ra ky virus e u pamë
Mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti nuk është i sotëm. Që nga fushata parazgjedhore, edhe VV e edhe LDK janë deklaruar se tjetër partner nuk shohin në qeverisje përveç njëra-tjetrës.
Përkundër përpjekjeve që të bëjnë koalicion parazgjedhor nuk arritën, pasiqë nuk i besonin njëra-tjetrës dhe nuk linin gjë pa thënë duke u parë me paragjykime dhe mosbesim.
Pas zgjedhjeve nuk arritën për katër muaj të krijojnë koalicion, jo për shkak të harmonizimit të programit, sepse as që u morrën me të, por për shkak të pozitave kyqe të qeverisjes.
Dhe çka mund të pritej ndryshe nga një koalicion që lidhet me mosbesim.
Ishte një përshtypje që në ditët e para se kjo qeveri për shkak të moskomunikimit normal, marrjes së vendimeve pa dakordancë të partnerëve dhe me një qasje çakorduese do të mund të zgjaste nja 6 muaj, por kjo na befasoi në dinamikë vetshkatërruese për 6 javë. Vetëm u prit një pretekst për shkarkimin e një ministri ( që absolutisht nuk është qëllimi ) sepse qëllimi është shumë më i thellë. Pra, qëllimi është të mos mirret përgjegjësi, por të kalohet në një fazë tjetër të krijimit të kushteve për zgjedhje të parakohshme dhe mundësisht për të fituar një grusht vota më shumë.
Ju me vetëdëshirë dhe me vetëdije e rrëzuat veten, vetëm që e gjetët kohën më të keqe për Kosovën, kur qytetarët e saj po përballen me COVID 19, e në vend se të mirreni me shërimin e tyre po i shkaktoni dhimbje të reja.
Pavarësisht parullave populliste dhe fjalorit patetik që mund t’u mbani qytetarëve, nuk mund të arsyetoni vetshembjen tuaj në këtë moment kaq të rëndë për vendin.
Pra, ra ky virus e u pamë.