Isufi: Ndalimi i Haradinajt është politik, presim lirimin me kusht

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 15:40 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dyshon se ndalimi i liderit të tyre, Ramush Haradinaj, në Francë ka motive të pastra politike. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se “influencat e ndryshme që bëhen në mes shteteve janë në lëvizje dhe ka mundësi që të ketë ndonjë ndikim edhe të brendshëm nga Kosova”.

Sipas tij, “ka njerëz të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës”.

Por, Isufi pret që ish-kryeministri Haradinaj të lirohet këtë enjte, me kusht. Sipas tij, nuk ka gjasa që Haradinaj të ekstradohet në Serbi.

Nënkryetari i Aleancës fajëson dhe institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë asgjë për hedhjen poshtë të fletarresteve të Serbisë në Interpol. Ai thotë se kjo është dashur të kushtëzohet me fillimin e dialogut për temat e tjera me Serbinë.

“Kosova duhet të sillet si shtet”, thotë mes tjerash Isufi, në intervistën për Ekonomia Online.

Intervista e plotë me nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufi:

Z. Isufi, tash janë bërë gjashtë ditë kurë kryetari i partisë suaj është ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Cilat janë të reja e fundit, pse vazhdon të mbahet lideri i AAK-së. A po pritni që të lirohet?

Është një listë e vitit 2004 e lëshuar nga një shtet që nuk ekziston Serbi dhe Mali i Zi, që është listë e skaduar; në të ka ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantë të saj dhe udhëheqës politikë të Kosovës, prandaj është absurde se pse mund të ndalet një personalitet në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian. Ka vende që janë vizituar më herët nga z. Haradinaj nuk është ndalur, por është pritur në mënyrë më të mirë, ndërsa tani ndodhë të ndalet, sikurse edhe në rastin e Sllovenisë. Procedurat e drejtësisë franceze dallojnë për shkak se çdo shtet i ka ligjet e veta dhe presim që të enjten të mbahet një seancë për kërkesën për mbrojtje në liri të z. Haradinaj dhe normalisht presim lirimin e tij.

A po e pret Franca kërkesën për ekstradim të Serbisë?

Nuk do të ndodhë një gjë e tillë për shkak se ai është qytetar i Kosovës. Serbia ka qenë agresor. Ne Kosovë dhe është luftuar nga bota demokratike dhe nga forcat e NATO-së. Askush nuk është ekstraduar deri më tani, nuk ekstradohet as z. Haradinaj, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe tani bileteralisht mes Kosovës dhe Francës janë marrëdhëniet, ndërsa Serbia e ka një fletarrest që e ka lëshuar nëpërmjet INTERPOL-it, e që është i skaduar.

Haradinaj ka qenë edhe më herët në Francë, pse nuk u ndalua atëherë, por pikërisht tash?

Pikërisht këto janë dyshimet për motive politike. Influencat e ndryshme që bëhen në mes shteteve janë në lëvizje dhe ka mundësi që të ketë ndonjë ndikim, edhe të brendshëm në Kosovë, sepse ne kemi njerëz të cilët megjithatë nuk ia duan të mirën Kosovës.

Daut Haradinaj e ka pyetur publikisht presidentin Hashim Thaçi se pse shkoi në ShBA në momentin kur u arrestua vëllai i tij. Ai tha se edhe kur ka shkuar në Hagë, Thaçi pat vizituar ShBA-në. A po e fajëson AAK-ja, në një mënyrë edhe Hashim Thaçin për arrestimin e Haradinajt?

Ne dimë që zotëri Haradinaj kur ka shkuar herën e parë në Hagë, atëherë ish-shefi i UNMIK-ut, Petersen, presidenti Rugova kanë dërguar kanë dërguar letra në Gjykatën e Hagës, i janë drejtuar ambasadave të shteteve të Quintit dhe shteteve përkatëse me kusht që të lirojnë z. Haradinaj për shkak se janë akuza të fabrikuara nga Beogradi. Gjendja e institucioneve tona dhe reagimi i tyre është shumë i zbehtë, prandaj ka edhe arsye të ketë indinjatë nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nga ana e qytetarëve, nga ana e njerëzve të cilët duan t’i njohin institucionet e vetë më të forta, më të angazhuara dhe më mbrojtëse në vlerën e Kosovës.

Çka duhet të bëjnë konkretisht institucionet e Kosovës që përfundimisht të hedhen poshtë fletarrestet e Serbisë në Interpol?

E para që është dashur të bëjnë institucionet e Kosovës është që të hyjnë në bisedime për normalizimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kur Serbia t’i kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe dëmshpërblimin për dëmet gjatë periudhës së luftës, duke u nisur nga dëmet e luftës, nga personat e pagjetur, nga kthimi i kursimeve pensionale, kursimi i qytetarëve të Kosovës, atë gjitha ato që janë elemente shkatërruese nga ana e Serbisë në Kosovë. Kur t’i kish kryer krejt këto detyra, duke hequr edhe listën për akuza të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ekziston ende në Interpol, atëherë ish dashur të diskutohet për mundësinë e marrëdhënieve. Qeveria e Kosovës ka shkuar mbrapsht, të gjitha temat që i ka kërkuar Serbia në Bruksel i ka përmbushur duke hyrë në bisedime për çështje të brendshme të Kosovës, prandaj e kanë dëmtuar Kosovën, prandaj ka reagime nga qytetarët, prandaj edhe e kemi murin në Mitrovicë e kemi edhe shumë efekte për të cilat pikërisht se në bisedime kanë shkuar pa përgatitur dhe duke iu nënshtruar agjendës së Beogradit.

A duhet edhe Kosova të lëshojë fletarreste njëjtë sikurse Serbia?

Absolutisht Kosova ka edhe më shumë arsye të bëjë fletarreste, por pamundësia që të jetë pjesë e Interpolit dhe Evropolit, ka bërë që Kosova të mos e ketë ndikimin e mjaftueshëm, sepse kur ka qenë në pyetje pozicioni i tyre personal këta kanë bërë shumë veprime edhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa kur po janë interesat e shtetit këta nuk po e çajnë kokën dhe madje po lejojnë ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë, qoftë duke vepruar përmes minoritetit serb, qoftë edhe duke hyrë edhe drejtpërdrejt në Kosovë edhe personalitetet e Serbisë. Prandaj veprimi i dobët i institucioneve të Kosovës, në këtë rast i Qeverisë së Kosovës ka bërë që të kemi një politikë nënshtruese e cila edhe me këtë rast po dëshmohet.

Avokati i Haradinajt, Arianit Koci, ka thënë se pritet që të enjten mund të lëshohet z. Haradinaj nga burgu. Në rast se lëshohet a mund të marrë pjesë në ngjarjen rreth inaugurimit të presidentit të ShBA-së, Donald Trump?

Realisht ai nuk është dashur që të ndalet fare, por ne presim lirimin e tij dhe e mira do të ishte që ai të merrte pjesë edhe ne inaugurimin e presidentit të zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump.

Me iniciativën e AAK-së, Kuvendi për nesër ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të diskutohet për ndalimin e Haradnajt. Çfarë pritni nga kjo seancë?

Ne presim që nga kjo seancë të nxirret një rezolutë për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj, i cili padrejtësisht është ndalur dhe njëkohësisht të bëjnë veprime të cilat tregojnë që Kosova është shtet; institucionet e Kosovës duhet të sillen duke mbrojtur interesat e shtetit dhe sidomos Qeveria duhet të respektojë rezolutat e Kuvendit.

ahmet-isufi-ekonomia-online-8  ahmet-isufi-ekonomia-online-6

ahmet-isufi-ekonomia-online-1

Të ngjashme