Partitë opozitare Vetëvendosje, AAK e Nisma më herët ishin shumë të zëshme në kërkim të zgjedhjeve të parakohshme. Mirëpo, kohëve të fundit kjo kërkesë e tyre është zbehur. Këtyre akuzave i është përgjigjur nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.
Ky i fundit në emisionin Fakt Plus me Leotrim Berishën ka thënë se më shumë se sa për zgjedhje, opozitaret janë të koncentruar në rrëzimin e marrëveshjes për demarkacioni.
Megjithatë ai thotë se boshti opozitar, AAK e Nisma, jo vetëm që janë të gatshëm për të hyrë në zgjedhje, por hyn edhe për t’i fituar ato. Vjeshtën ai e vlerëson si kohën më të përshtatshme për të shkuar në zgjedhje.
E sa i përket bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe, Isufi thotë se ka moskomunikim të mjaftueshëm të institucioneve me pakicat në Kosovë. Kryeministri Mustafa, sipas tij, qe nga fillimi është treguar i pafuqishëm në raport me Listën Serbe.
“Koalicioni i LDK-së me PDK-në ka bërë qe të dyfishohet kapja e shtetit dhe të gjitha institucioneve, siç dihet në të gjitha sferat. Prandaj nuk është çudi pse ka një pafuqi të zhvillimeve në Kosovë nga ana e qeverisë. Një kryeministër i tillë do të duhej të ipte dorëheqje menjëherë”, ka thënë Isufi.
Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, ai ka thënë se proceset integruese nuk duhet të lidhen me territorin ose zhvillimet e brendshme të shtetit.
I pyetur nëse AAK ndjehet përgjegjëse, nëse në fund të vitit nuk ndodhë liberalizimi i vizave si rezultat i mos ratifikimi të demarkacionit, isufi ka thënë se AAK do të ndjehej përgjegjëse vetëm, nëse do ta pranonin një version të tillë, i cili e dëmton vendin në territor.