Boksieri shqiptar Shefat Isufi, po i afrohet një synimi që e ka pasur qysh kur ka filluar karrierën në boks, që të bëhet kampion bote. Isufi 28-vjeçar është caktuar që të zhvillojë një duel eliminator për titull bote në versionin WBO në peshën super të mesme kundër gjermanit Vincent Feigenbutz.
WBO-ja ka njoftuar të dyja palët se më 4 dhjetor në Budapest, do të duhet të dorëzojnë ofertat për të vendosur për organizatorin e kësaj përballjeje, ndërsa siç ka njoftuar federata oferta minimale e pranueshme është 300 mijë dollarë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Fituesi i kësaj përballjeje pritet të ndeshet për titull të botës në peshën super të mesme me meksikanin Gilberto Ramirez.
Isufi thotë se është i gatshëm të përballet si me Feigenbutzin, por ashtu edhe me Ramirezin.
“Unë jam i gatshëm për këto përballje. Gjithmonë synimi im ka qenë të luftoj për titull të botës dhe po i afrohem këtij synimi. Mirëpo, nuk jam edhe aq optimist se Feigenbutz do të dalë të ndeshet me mua. Por unë jam i gatshëm për të dhe për Ramirezin po ashtu”, ka thënë Isufi të dielën për gazetën.