IT-ja, në mesin e të dyshuarve për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK-së

Prishtinë | 10 Sht 2025 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Në muajin prill të këtij viti, në oborrin e QKUK-së ndodhi një shpërthim, ku cak ishte vetura e drejtorit të atëhershëm të këtij institucioni, Osman Hajdari.

Ndërkaq sot, Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda e Policisë së Kosovës ka ndaluar 11 persona të dyshuar për këtë rast, të ndodhur më datë 30.04.2025.

E në mesin e të arrestuarve, dyshohet se është edhe Faton Hajzeraj, i cili ka punuar IT pikërisht në QKUK.

Sipas burimeve të Klanit, Hajzeraj ka mbajtur këtë pozitë deri në momentin e arrestimit të tij.

Nga ky institucion nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.

“Ende nuk kemi ndonjë konfirmim që Faton Hajzeraj, emri i të cilit është lakuar në media, është i njëjti që punon në QKUK! Shpresoj që nesër do të kemi më shumë informata”, ka thënë për Klanin Mentor Zejnullahu, u.d i drejtorit të QKUK-së.

Faton Hajzeraj, shtatorin e vitit të kaluar ka qenë i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në një rast të montimit të kamerave në QKUK.

Sipas kësaj aktakuze, e raportuar nga “Betimi për Drejtësi”, më 22 dhjetor 2020, në QKUK, në cilësinë e personave zyrtarë IT në QKUK, dhe në bashkëkryerje, Faton Hajzeraj dhe L.J. e Y.K., në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar mes QKUK dhe “Artech”, kishin nënshkruar raport fiktiv se i tërë aktiviteti është kryer në dhjetor 2020, që përfshinë pranimin e mallit, ekzekutimi i punimeve dhe pranimi teknik i punimeve.

Më tej, thuhej se në këtë raport ka qenë e cekur se “materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhshmëri me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë”, i cili raport sipas aktakuzës ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike.

Sipas kësaj aktakuze, projekti nuk ishte përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk ka qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellë në QKUK në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media, andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK, i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 104 mijë e 751 euro.

Megjithatë, më 17 shtator të vitit të kaluar, u bë shpallja e aktgjykimit ndaj Faton Hajzeraj dhe dy të tjerëve, të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje.

Të njëjtit u liruan nga akuzat pasi sipas gjykatës nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Të ngjashme