Policia italiane njoftoi të mërkurën se e ka shkatërruar një rrjet mafioz në Sicili, i cili dyshohet për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian, të dedikuara për fermerët.
Prokurorët italianë besojnë se grupi mafioz “Tortorici”, i ka përfituar nga Bashkimi Evropian rreth dhjetë milionë euro përmes mashtrimeve.
Gjithsej 94 persona u arrestuan në operacionet që u zhvilluan në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa 151 biznese të lidhura me anëtarët e këtij grupi janë bllokuar, njoftuan autoritetet.
Në mesin e të arrestuarve janë udhëheqësit e dy familjeve mafioze, një noter, disa ndërmarrës dhe administratorë publikë, të cilët e kishin për detyrë t’i ndihmonin fermerët për të pasur qasje në fondet e BE-së.
Ky klan kishte deklaruar në mënyrë të rrejshme se posedon toka private, ndonëse në të vërtetë ato ishin në pronësi publike. Në këtë mënyrë, këta persona kishin përfituar miliona euro nga Bashkimi Evropian.
“Në vend se të përdoreshin për zhvillimin e bujqësisë në këtë rajon, fondet përfunduan në dorën e grupit mafioz”, tha prokurori i Mesinës, Maurizio de Lucia, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.
Gjykata vendosi që 48 persona të arrestuar t’i dërgojë në burg, ndërsa për pjesën tjetër është marrë masa e arrestit shtëpiak