Italia e përkushtuar ta përkrahë FSK-në

Prishtinë | 07 Sht 2023 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Në takimin mes ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ambasadorit të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, u diskutua rreth shumë çështjeve të cilat kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, e me theks të veçantë bashkëpunimin ndërmjet ministrive të mbrojtjes së dy shteteve.

Ministria e Mbrojtjes njofton se implementimi i planit bilateral, thellimi i bashkëpunimit në zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta, shkollimi i kuadrove të reja të ushtarakëve, ishin disa nga pikat kryesore të diskutimit.

Me këtë rast, ministri Maqedonci theksoi se “si dy shtete që përqafojmë të njëjtat vlera demokratike me synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes nesh”.

Nga ana e tij, ambasadori De Riu theksoi se Italia mbetet e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për ngritjen e kapaciteteve luftarake të FSK-së.

Të ngjashme