Ambasadori i Italisë, Nicola Orlando, së bashku me kolonelin David Colussi të Armatës Italiane, sot e prezantuan përkrahjen e dhënë nga Republika e Italisë për Institucionet në Kosovë në reagim ndaj pandemisë coronavirus.
Ngjarja u zhvillua në Prishtinë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku morri pjesë Ministri në detyrë i Shëndetësisë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Ceremonia e shkurtër erdhi në fund të iniciativës javore të realizuar bashkërisht nga aktorët civilë dhe ushtarakë italianë në Kosovë në përkrahje të reagimit të institucioneve vendore ndaj krizës shëndetësore të coronavirusit.
Ministria Italiane e Mbrojtjes kontribuoi përmes një ekipi të specializuar 9-anëtarësh të Regjimentit të 7-të të Mbrojtjes KBRN (Kimike-Biologjike-Radiologjike-Nukleare) të Armatës Italiane, i cili bëri sanitimin e mbi 50 objekteve publike në tërë Kosovën në 34 lokacione të ndryshme gjatë dy javëve të fundit. Objektet përfshinin Inspektoratet e Policisë së Kosovës dhe Qendrat e Shëndetit Publik.
Agjencia Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim (AICS) ofroi plotësimin kësaj përpjekjeje me pajisje sanitare dhe personale mbrojtëse që iu dhuruan Klinikës për Sëmundje Infektive të Kosovës, përfshirë rrobat kirurgjikale dhe dorezat, maskat për fytyrë dhe lëngun dezinfektues.
“Italia e ka përkrahur Kosovën në izolimin e virusit shumë para se të shfaqej brenda vendit, duke i këshilluar autoritetet përkatëse dhe duke dhënë asistencë konkrete. Aktorët civilë dhe ushtarakë italianë në Kosovë, përfshirë Ambasadën, Agjencinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe kontingjentin tonë ushtarak, punuan vazhdimisht në këtë përpjekje të suksesshme. Donacioni i sotëm i pajisjeve i kompleton furnizimet e mëparshme të pajisjeve mbrojtëse personale, si dhe donacionin e një laboratori plotësisht të pajisur të mikrobiologjisë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, të inauguruar së fundmi, në kontekstin e projektit të financuar nga Italia “Përkrahje për sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë”.
Së bashku, ne vazhduam të avokojmë për respektimin e plotë të masave dhe rregulloreve qeveritare nga të gjithë qytetarët të cilat në mënyrë efektive i kanë zbutur efektet e coronavirus në Kosovë. Është e rëndësishme që mos ta ulim gardën në këtë fazë, kur ekspertët paralajmërojnë valën e mundshme të dytë të përhapjes së virusit në Evropë dhe në botë. Distancimi social dhe pajisjet personale mbrojtëse, si këto që po i dhurojmë sot, janë çelës për suksesin e vazhdueshëm në parandalimin e përhapjes së coronavirusit në Kosovë.
Në veçanti veshja e maskës në hapësira publike është një veprim themelor i respektit jo për veten, por për njerëzit përreth nesh, shumë prej të cilëve janë më të ekspozuar ndaj virusit”, deklaroi Ambasadori Orlando në fjalën e tij të rastit.
“Bashkëpunimi dypalësh i vendosur ndërmjet Armatës Italiane dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës u dëshmua si shumë i efektshëm dhe do të vazhdojë edhe sot me sanitimin e objekteve tjera shëndetësore dhe një sesion trajnimi nga Ushtarët Italian për personelin e Departamentit të Zjarrfikësve në Prishtina”, sqaroi koloneli David Colussi, Shef i Kontingjentit Ushtarak Italian.
Regjimenti i 7-të i Mbrojtjes KBRN i Armatës Italiane tashmë ka kryer aktivitete të ngjashme në Italinë Veriore, si ofrues i forcës ushtarake për detyrë, të përbërë nga 21 ekipe, disa prej së cilave kanë zbarkuar edhe jashtë shtetit.
Para operacioneve në përkrahje të Kosovës në reagim ndaj coronavirusit, ekipi i Armatës Italiane kishte dhënë përkrahje të specializuar KFOR-it duke sanituar një numër të objekteve ushtarake të misionit të udhëhequr nga NATO-ja, përfshirë pjesën e aeroportit, ndërsa një ekip mjekësor që i përkiste Komandës Logjistike të Armatës Italiane realizoi një studim për të dhënë këshilla lidhur me praktikat më të mira që duhen implementuar në parandalim të përhapjes së mëtejshme të virusit.