Italia mes zjarreve e stuhive, 2 viktima

Prishtinë | 25 Kor 2023 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Moti ekstrem nuk po i jep mundësi frymëmarrjeje Italisë. Zjarret e shkaktuara si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës, detyruan mbylljen e aeroportit të Palermos në Sicili, këtë të martë, ndërsa stuhi të fuqishme shkaktuan dëme të mëdha dhe të paktën 2 viktima në veriun e vendit.

Aeroporti në kryeqytetin sicilian pezulloi shërbimet për disa orë, siç bëri me dije operatori i tij në rrjetin social “Twitter”, teksa zjarrfikësit u mobilizuan për shuarjen e flakëve në një zonë të afërt, që pengoi gjithashtu qarkullimin rrugor dhe hekurudhor.

Rreth 1500 persona thuhet të jenë evakuuar si pasojë e zjarrit. Mbyllja e aeroportit në Palermo, vjen pas anulimit të shumë fluturimeve nga ai i Katanias në jug të Sicilisë, pas zjarrit që ra në një prej terminaleve, duke pamundësuar apo vështirësuar pushimet e shumë turistëve. Sicilia u bë epiqendër e valës së të nxehtit ekstrem që ka përfshirë europën jugure, me temperatura që arritën deri në 47.6 gradë celsius në disa zona.

43 vatra zjarri janë raportuar rreth ishullit. Kryeministrja Georgia Meloni tha se e marta do të ishte dita më e vështirë, për shkak të temperaturave tejet të larta dhe erës së fortë. E ndërsa jugu lufton me vapën mbytëse dhe zjarret, stuhi të pazakonta për stinën, po gjunjëzojnë veriun. Një stuhi e fuqishme që goditi gjatë natës Milanon, shkuli çatitë dhe pemët, duke bllokuar rrugët e duke paralizuar transportin në kryeqytetin financiar të Italisë. Dy gra humbën jetën të hënën dhe të martën, në Monza dhe Bresha, si pasojë e rrëzimit të pemëve. Italia është një prej vendeve evropiane më të prekura nga ndryshimet klimatike, dhe u përball me përmbytje vdekjeprurëse në muajin maj.

Të ngjashme