Shtetet evropiane po vazhdojnë t’i lehtësojnë masat kufizuese që i morën muajin e kaluar dhe në shkurt shkaku i pandemisë.
Nga e hëna, në Itali do të lejohen shëtitjet e njerëzve në parqe dhe vizitat e të afërmve, ndërsa restorantet do të ofrojnë vetëm shitje të ushqimit, por jo shërbim në lokal.
Në Hungari, disa dyqane dhe muze, hapësirat e jashtme të restoranteve dhe hoteleve gjithashtu do të hapen nga e hëna, por masat kufizuese do të mbesin në fuqi në Budapest, ku janë regjistruar 70 për qind e të gjitha rasteve në nivel vendi.
Edhe Gjermania do ta vazhdojë largimin e masave nga fillimi i javës së ardhshme, ku në disa rajone pritet rihapja e shkollave, ndërsa Sllovenia dhe Polonia do ta lejojnë rihapjen e disa bizneseve dhe hapësirave publike.
Franca gjithashtu ka paralajmëruar se do t’i largojë pjesërisht masat e izolimit nga 11 maji, përfshirë rihapjen e shkollave fillore, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, pas paralajmërimit të ekspertëve shëndetësorë se sëmundja mund të kthehet përsëri dhe të shtohen rastet, qeveritë po kërkojnë që të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat dhe të rritet numri i testimeve.