Italiani akuzohet se 15 vjet u pagua pa shkuar në punë, ja sa e dëmtoi shtetin

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Një punëtor spitali në Itali është akuzuar se nuk ka shkuar në punë për 15 vjet, ndonëse ka marrë pagë të plotë.

Burri dyshohet se filloi të mos shkonte në punë në spitalin “Ciaccio” të qytetit jugor, Catanzaro, që nga viti 2005, shkruan BBC.

Ai tashmë po hetohet nga autoritetet për mashtrim, zhvatje dhe keqpërdorim të vendit të punës, raportoi agjencia italiane e lajmeve, Ansa.

Raportohet se ky person është paguar gjithsej 538 mijë euro gjatë viteve sa nuk ka shkuar në punë. Cak i hetimeve në këtë rast janë edhe gjashtë menaxherë të spitalit.

Arrestimet erdhën pas një hetimi të gjatë të policisë dhe dyshimeve për mashtrim në sektorin publik italian.

Punëtori i dyshuar për mashtrim e zhvatje ishte shërbyes civil dhe ishte emëruar në detyrë në vitin 2005. Policia tha se ai filloi të mos dilte në punë që nga ajo kohë.

Policia gjithashtu e akuzon këtë person se e ka kërcënuar menaxheren e tij për të mos paraqitur raport disiplinor kundër sjelljes së palejueshme.

Autoritetet shtuan se menaxherja në fjalë më vonë doli në pension, ndërsa mungesa e vazhdueshme e punëtorit asnjëherë nuk u vërejt nga pasardhësi i menaxheres apo nga departamenti i burimeve njerëzore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme