Iute Credit, një institucion mikrofinanciar i licencuar në Kosovë ka pranuar se i ka mashtruar klientët e saj dhe për këtë pasi që është ndëshkuar ua ka kthyer paratë klientëve.
“Për të plotësuar një aplikim është e nevojshme të plotësohet një pyetësor i thjeshtë pranë zyrave tona, ose në uebsite-n tonë. Ju do të merrni një përgjigje brenda 15 minutash”, është fjalia që të godet në faqen e internetit të Iute Credit në Kosovë.
Reklama që mund të merrni kredi për 15 minuta një numrit të kosovarëve u kishte kushtuar shtrenjtë. Iute Credits, një institucion mikrofinanciar i licencuar në Kosovë për Insajderin ka pranuar se i ka mashtruar klientët e saj.
Ky konfirmim i tyre ka ardhur vetëm pasi që Insajderi e ka zbuluar se kjo kompani është ndëshkuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), institucioni që e licencoi këtë kompani.
“Pas konstatimit të shkeljeve nga Iute Credit, janë ndërmarrë masat konform natyrës dhe peshës së shkeljes”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Derisa BQK-ja nuk e konfirmon natyrën e ndëshkimit kundër Iute Credits, këtë për Insajderin e ka bërë vetë kompania.
“Pas masave të ndërmarra nga BQK-ja, lute Credit u ka kthyer mjetet qytetarëve të cilët janë dëmtuar me këtë rast dhe gjithashtu ka përmirësuar mënyrën e llogaritjes së normës së interesit”, thuhet në përgjigjet e Iute Credits për Insajderin.
Iute Credit madje nuk është i vetmi institucion mikronfinanciar i ndëshkuar nga BQK-ja, por kjo e fundit nuk pranon që të zbuloj edhe emrat e tjerë të kompanive ndaj të cilave mori masa, pos që e konfirmon që ka edhe të tjerë.
“Përveç Iute Credit, BQK-ja ka ndërmarrë masa ndëshkimore administrative edhe ndaj institucioneve të tjera, në momentin që janë vërejtur parregullsi dhe shpërputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Institucionet mirkofinancare, që shpesh njihen edhe si “fajdexhinjtë e licencuar”, sipas një raporti të fundit të BQK-së kanë kamata që arrijnë edhe në masën mbi 21 %.