IuteCredit Kosova i është bashkuar planit strategjik të Marketingut të Komitetit Olimpik të Kosovës, duke u bërë sponsore e pakos së dytë më të madhe të quajtur, Grand Exclusive.
Kontrata valide deri në vitin 2022, me mundësi vazhdimi, është nënshkruar të enjten nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe drejtori ekzekutiv i IuteCredit Kosova, Shpend Maxhera.
Në ceremoninë e organizuar në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, drejtori i shitjes në IuteCredit, Arbër Shala, si dhe sportistët nga sporti i xhudos, Distria Krasniqi, nënkampione e Evropës dhe Erza Muminoviq, medaliste e bronztë në Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, tha se fleksibiliteti, transparenca, besueshmëria dhe korrektësia janë vetëm disa nga parimet e IuteCredit Kosova, të cilat lidhen ngushtë edhe me vizionin dhe misionin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
“Me IuteCredit Kosova si Grand Exclusive Partner, Komiteti Olimpik i Kosovës vetëm sa do të fuqizojë stabilitetin financiar, një përqindje e mirë e të cilave iu dedikohet kryesisht sportistëve, të cilët falë sukseseve të shumta, vetëm sa po e fuqizojnë thënien se sportistët janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë. Pikërisht sportistët janë në fokus të Komitetit Olimpik i Kosovës dhe bashkë me IuteCredit Kosova do të ecim suksesshëm drejt Lojërave Olimpike Tokyo 2020, ashtu siç po e vazhdojnë suksesshëm rrugëtimin drejt fitimit të normës Olimpike 19 bursistët tanë, me theks të veçantë xhudistët, suksesi i të cilëve është bërë kryefjalë në çdo garë”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.
Drejtori ekzekutiv i “IuteCredit”, Shpend Maxhera, tha se kjo kompani në strategjinë e saj ka edhe sponsorizimin e aktiviteteve sportive. IuteCredit më herët ka sponsorizuar edhe GjysmëMaratonën e Prishtinës.
“Me rastin e sotëm ne vetëm po rikonfirmojmë fuqinë e sportit, bashkimin e njerëzve që sporti e krijon dhe ne si ‘IuteCredit Kosova’ në këtë rast jemi shumë të kënaqur që na është dhënë mundësia dhe besimi që të jemi pjesë e përkrahjes së sportistëve të rinj në gara dhe disiplina të ndryshme, por me një theks të veçantë te sportistët që do të përgatiten për Lojërat Olimpike”, ka thënë mes tjerash, Maxhera.
Në emër të xhudistëve foli Distria Krasniqi, e cila po vazhdon suksesshëm rrugën drejt fitimit të normës Olimpike Tokyo 2020.
“Unë si bursiste e Komitetit Olimpik që do të marr pjesë në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, ju bëj apel të gjithë biznesmenëve dhe bizneseve që të bëhen sponzorë të KOK-ut, të federatave, e sidomos të sportistëve, pasi që dihet që sportistët kanë shumë nevojë për mbështetjen tuaj që të arrijnë rezultate sa më të mëdha dhe po ashtu t’i sjellin Kosovës edhe medalje tjera Olimpike siç i ka sjell Majlinda”, tha Krasniqi.
Në fund të ceremonisë u organizua një koktej rasti me të pranishëm dhe mediat e shumta prezente.
“IuteCredit ” është kompani estoneze dhe vepron si institucion mikrofinaciar në shumë shtete të Evropës. Në Kosovë ka filluar së vepruari në vitin 2017, derisa po rritet me hapa gjigant.