Izmaku: Ka mungesë totale të vullnetit politik, rrezikohet mandati i deputetëve

Prishtinë | 07 Kor 2025 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se situata tashmë ka kaluar përtej aspektit juridik dhe procedural, dhe është bërë një çështje morale e mungesës së vullnetit politik nga liderët e partive, raporton Ekonomia Online.

“Ju e dini që takimet tona kanë qenë publike edhe tani, nëse ndodhin ose në të ardhmen, do të bëhen publike. Po duket që nuk është më as procedurale, as juridike, por është më shumë morale. Ka mungesë totale të vullnetit politik të lidershipit të krejt partive të mëdha politike për të gjetur një zgjidhje. Nisma ka qenë dhe është që të krijohet një mazhorancë në tavolinë, pra të ndërtohet marrëveshje politike edhe të zgjidhen këto ngërçe politike,” tha ajo.

Ajo paralajmëroi se meqë Gjykata Kushtetuese ka vendosur afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, në rast të mosrespektimit të këtij afati mund të rrezikohet mandati i deputetëve.

“Edhe ju e dini që pasojat juridike kanë të bëjnë edhe me mandate, kështu që duhet pasur parasysh – secili duhet të veprojë,” u shpreh Izmaku.

Të ngjashme