Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut, në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se nesër, e martë, nuk do të shkojë në zyrë as ai e as Ilir Peci, kryetari i Zveçanit, për shkak të gjendjes së krijuar dhe pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Ai deklaroi edhe se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i ka qortuar për hapat e ngutshëm që kanë marrë.
Intervista me Izmir Zeqirin, krytar i Zubin Potokut:
Çka biseduat me ambasadorin amerikan në takim sot?
Ai ishte i shqetësuar pak, edhe na qortoi pak ambasadori për hapa të shpejtuar dhe për përdorimin e forcës, sepse ata nuk e kishin paraparë që të përdoret forca ashtu, por ja që ka ndodhur dhe ne u munduam t’ia tregojmë shqetësimet tona ambasadorit amerikan dhe përfaqësuesit të zyrës së BE-së në Kosovë.
Po me ambasadorin e Britanisë së Madhe?
Tema ishte e njëjtë edhe me të, shqetësimi për zhvillimet në veri dhe këto ishin ato temat.
Çka ju tha kur “ju qortoi” ambasadori?
Po ai e quajti hap të ngutshëm, pse? Ne i treguam ambasadorit që o sot o nesër ato zyre që u takojnë qytetarëve, Republikës së Kosovës, të kthehen te ta, të mos mbahen peng e të uzurpuara nga organe kriminele siç i quajmë ne, edhe pse ne i dimë se kush janë ata, struktura paralele, Lista Serbe, për ne ato janë të uzurpuara, nuk mund të ketë ndonjë funksionim normal të administratës nëse komunat janë të uzurpuara nga një shtet ose një strukturë e tillë.
Ambasadori i ka thënë kryeministrit Kurti sot që kryetarët mund të funksionojnë nga zyrat ku u betuan deri sa të qetësohet situata, çka do të bëni ju?
Po këtë gjë ambasadori na e tha edhe neve në takim sot, ai insiston që ne të funksionojmë nga ato zyrat ku jemi betuam, që të mos merren hapa të dhunshëm, me forca të policisë e gjëra të ngjashme, kjo ishte ajo që biseduam. Por të shohim tash se si po vendosim e po veprojmë. Ne u dakorduam që me dëshirë do të shkonim në zyrat e administratës komunale, për të funksionuar në mënyrë normale, por meqë ka probleme tash të shohim, ne edhe aty e cekëm, te ambasadori, që probleme po shkaktojnë bandat kriminale serbe duke i frikësuar, duke i dhunuar edhe vetë qytetarët shumicë atje e për t’i bindur ata që të veprojnë sipas tyre. Këto tema i biseduam me ambasadorët, por edhe ata ishin të informuar për këto gjëra, por megjithatë ai e quajti hap të ngutshëm këtë që bëmë ne.
Sipas ambasadorëve kur duhet ju të dilni në zyre të komunës?
Nuk jepte ai afate, por thoshte që së shpejti mund të ndodhë që ju të shkon në komunë, por ju mund të kontribuoni për shoqërinë edhe nga ato zyrat lokale ku u betuat.
A dilni nesër në zyrë?
Nuk do të shkojë në zyrë as ai e as Ilir Peci, kryetari i Zveçanit, për shkak të gjendjes së krijuar dhe pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë.