Numri i rasteve me koronavirus në Angli ka rënë me gati një të tretën që kur vendi hyri në izolimin e dytë, kanë treguar testet e realizuara në 105,000 vullnetare.
Këtë muaj kishte një rënie prej 30% të rasteve në të gjithë vendin për pothuajse dy javë, me 96 njerëz të infektuar për 10,000 midis 13-24 nëntor, nga 132 për 10,000 midis 26 tetorit dhe 2 nëntorit.
Numri R, i cili tregon nivelin e transmetimit, tani është 0.88. Çdo shifër mbi 1 do të thotë që virusi po rritet në mënyrë eksponenciale.
Përfundimet, nga studimi i mbikëqyrjes masive të financuar nga qeveria, janë mirëpritur si provë se izolimi në të gjithë Anglinë që filloi në 5 nëntor , dhe sistemi i kufizimeve të niveleve të ndryshme që i paraprinë, patën sukses në zvogëlimin e transmetimit të virusit.
Përqindja e njerëzve të infektuar në zonat angleze të prekura më keq në valën e dytë të pandemisë – veri-perëndimi, veri-lindja dhe Yorkshire dhe Humber – ka rënë në mënyrë drastike.
Studimi zbuloi se përqindja e popullsisë së infektuar është më shumë se përgjysmuar si në veri-perëndim – nga 2.53% në 1.08% – ashtu edhe në veri-lindje, nga 1.88% në 0.72%. Në Yorkshire dhe Humber, ajo përqindja ra nga 1.8% në 1.17%.
Studimi, i ndërmarrë nga Imperial College London dhe ekspertët e sondazheve Ipsos Mori, ka prodhuar raporte të rregullta gjatë pandemisë mbi normat e infeksioneve në Angli.