Krahas sfidave me stigmatizim nga shoqëria, vështirësitë ekonomike e sociale, viktimave të dhunës seksuale u është shtuar edhe ballafaqimi me përhapjen e pandemisë COVID-19.
Masat e kërkuara për qëndrim në shtëpi kanë vështirësuar punën e organizatave që merren me rehabilitimin e tyre, raporton KOHA.
Udhëheqësja e organizatës “Medica Kosova”, Veprore Shehu, thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me personat që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës.
Sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kjo periudhë ka rënduar gjendjen, duke iu rikujtuar atyre përjetimet gjatë luftës.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, thotë se ndihma e institucioneve në këtë kohë është e domosdoshme për viktimat.
E situata me koronavirus ka bërë që përkohësisht të pezullohet edhe puna e Komisionit që merret me verifikimin e viktimave të dhunës seksuale.
Deri më tash, për këtë status kanë aplikuar mbi 1.200 persona, derisa mbi 500 janë në proces e sipër të aplikimit. Viktimat e dhunës seksuale, statusi i së cilave është verifikuar nga Komisioni, marrin nga 230 euro pension në muaj.