Presidenti Hashim Thaçi, është izoluar nga brenda e nga jashtë. Që prej kohës kur Gjykata Speciale ka treguar për aktakuzën kundër tij, Thaçin nuk e ka takuar kryeministri Avdullah Hoti e as kryeparlamentarja Vjosa Osmani, sikur që komunikimit me të i kanë vënë bllok edhe disa prej misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, sikur janë ambasada britanike dhe ajo franceze.
Më 24 qershor, Thaçi ishte rrugës për në Uashington për të marrë pjesë në një takim që synonte t’i jepte start një faze të re dialogu me Serbinë, kur Specialja dha kumtin se ai ishte i dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat. Kjo, pasi kishte shprehur besimin se Thaçi, bashkë me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe, kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”, raporton KOHA.
Që nga atëherë, përtej kufijve të Kosovës, vetëm në Shqipëri i janë hapur dyert kreut të shtetit. Në Tiranë ai ka takuar zyrtarët e lartë shtetërorë, si presidentin Ilir Meta e kryeministrin Edi Rama. Ramën e kishte pritur edhe në Prishtinë, kur kreu i Qeverisë së Shqipërisë kishte mësyrë unifikimin e spektrit politik në një ndërmarrje kundër Speciales. E ka pritur të hënën edhe kreun e opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha.
Mirëpo, janë krerët institucionalë në Prishtinë që i kanë ndërprerë komunikimet me shefin e shtetit.