Trupat dhe automjetet e blinduara izraelite depërtuan më thellë në veri të Rripit të Gazës të hënën, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe personeli mjekësor paralajmërojnë se sulmet ajrore po godasin më afër spitaleve, ku dhjetëra mijëra palestinezë kanë kërkuar strehim së bashku me mijëra të plagosur.
Shtimi i operacioneve tokësore ndodhi një ditë pasi 33 kamionë që transportonin ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera hynë në Gaza nga Egjipti, autokolona më e madhe e ndihmave humanitare që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Punonjësit humanitar thanë të hënën se ndihma ishte ende shumë larg nevojave në Gaza, e cila ndodhet nën rrethim për javë të tëra.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i të vdekurve mes palestinezëve arriti në mbi 8,000 veta, kryesisht gra dhe të mitur, ndërsa tanket dhe këmbësoria izraelite po kryejnë atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti një “fazë të dytë” në luftën e nxitur nga sulmi brutal i Hamasit më 7 tetor.
Numri i viktimave është i pashembullt në dekadat e dhunës izraelito-palestineze. Mbi 1,400 veta, kryesisht civilë, u vranë në anën izraelite gjatë sulmit fillestar, gjithashtu një shifër e pashembullt.
Forcat izraelite dukej se po futeshin më thellë në Gaza nga veriu. Një video e publikuar të hënën nga ushtria shfaqi automjete të blinduara që lëviznin mes ndërtesave dhe ushtarët që zinin pozicione brenda një shtëpie. Vendndodhja e saktë nuk dihej, por pamjet ushtarake të shtunën shfaqën trupat që lëviznin nëpër zona të zbrazëta ranore pranë kufirit verior të Gazës.
Ushtria tha të hënën se gjatë natës trupat e saj kishin vrarë dhjetëra militantë që sulmuan nga brenda ndërtesave dhe tuneleve dhe kishin shkatërruar një ndërtesë që Hamasi e përdorte si fortesë. Ushtria izraelite tha ditët e fundit kishte goditur më shumë se 600 objektiva militantë, duke përfshirë depo armësh dhe pozicione lëshimi të raketave antitank. Raportet për shënjestrat nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.
Krahu ushtarak i Hamasit tha se militantët e tij u përleshën me trupat izraelite që hynë në pjesën veriperëndimore të Rripit të Gazës me armë të lehta dhe predha antitank. Militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa drejt Izraelit, duke përfshirë Tel Avivin.
Të dielën, autokolona më e madhe e ndihmave humanitare deri më tani, 33 kamionë, hyri në Gazën jugore nga Egjipti. Punonjësit e ndihmës thonë se sasia është ende shumë më e vogël se ajo që nevojitet në territor, ku popullsia prej 2.3 milionë banorësh është duke mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant pas javësh nën rrethimin izraelit.
Të shtunën, turma njerëzish hynë në katër depo të Kombeve të Bashkuara dhe morën furnizime ushqimore në atë që OKB-ja e quajti një shenjë se rendi civil po rrënohej mes dëshpërimit në rritje.
Rrethimi izraelit e ka rrënuar pothuajse infrastrukturën në Gaza. Pa energji elektrike për javë të tëra, spitalet po përpiqen të mbajnë në punë gjeneratorët e urgjencës për të vënë në funksion inkubatorët dhe pajisjet e tjera që shpëtojnë jetën. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRËA, është përpjekur të mbajë në punë pompat e ujit dhe furrat e bukës. Javën e kaluar, zyrtarët e OKB-së thanë se shkalla e urisë po rritej.
Numri i kamionëve me ndihma u rrit pasi presidenti amerikan Joe Biden i theksoi kryeministrit izraelit Netanyahu “nevojën për të rritur menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme hyrjen e ndihmave humanitare”, thanë zyrtarët amerikanë.
Izraeli gjithashtu hapi dy linja furnizimi me ujë Gazën jugore gjatë javës së kaluar, tha autoriteti ushtarak izraelit përgjegjës për çështjet civile palestineze. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse linjat ishin në punë.
Komunikimet u rivendosën të dielën për shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës. më shumë se një ditë pa shërbime telefonike dhe të internetit.
Ndërkohë, spitalet e mbushura me njerëz në Gazën veriore u gjetën nën kërcënim në rritje. Sulmet goditën pranë spitaleve Shifa dhe Al Quds të qytetit të Gazës dhe spitalit indonezian në Gazën veriore ditët e fundit, thanë zyrtarë të OKB-së dhe banorët lokal të hënën.
Të 10 spitalet që veprojnë në veri të Gazës janë urdhëruar të evakuohen ditët e fundit, tha zyra e OKB-së për bashkërendimin e çështjeve humanitare. Personeli ka refuzuar të largohet, duke thënë se evakuimi do të nënkuptonte vdekjen për pacientët që janë të lidhur në ventilatorë.
Dhjetëra mijëra civilë janë strehuar në spitalin Shifa, më i madhi në territor. Izraeli akuzon Hamasin se ka një komandë të fshehtë nën spital, por nuk ka dhënë shumë prova. Hamasi i mohon akuzat.
Sulmet goditën afro 50 metra nga spitali Al Quds, pasi ai mori dy telefonata nga autoritetet izraelite të dielën duke urdhëruar evakuimin, tha shërbimi i shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, sipas të cilit 14,000 njerëz janë strehuar atje.
Rreth 20,000 njerëz janë strehuar në Spitalin Nasser në qytetin jugor Khan Younis, tha drejtori i urgjencës Dr. Mohammed Qandeel.
“Unë i solla fëmijët e mi për të fjetur këtu”, tha një banore e zhvendosur që u identifikua si Umm Ahmad. “Dikur kisha frikë për fëmijët e mi që luanin në rërë. Tani duart e tyre janë të pista me gjakun në dysheme”.
Përshkallëzimi ka rritur trysninë e brendshme mbi qeverinë e Izraelit për të siguruar lirimin e 239 pengjeve të kapur nga luftëtarët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit.
Hamasi thotë se është gati të lirojë të gjithë pengjet nëse Izraeli liron të gjithë mijëra palestinezët e mbajtur në burgjet e tij. Anëtarët e dëshpëruar të familjeve të pengjeve izraelite u takuan me kryeministrin Netanyahu të shtunën dhe shprehën mbështetjen për një shkëmbim. Izraeli e ka hedhur poshtë ofertën e Hamasit.
“Nëse Hamasi nuk ndjen trysninë ushtarake, asgjë nuk do të lëvizë përpara”, u tha të dielën familjeve të pengjeve ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Ushtria izraelite nuk i ka quajtur operacionet e saj tokësore që po zgjerohen brenda Gazës, një pushtim në shkallë të gjerë.
Izraeli thotë se po vë në shënjestër luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe se militantët veprojnë mes civilëve, duke i vënë ata në rrezik.
Luftimet kanë ngritur shqetësimin se dhuna mund të përhapet në gjithë rajonin. Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah. janë përfshirë në përleshje të përditshme përgjatë kufirit verior të Izraelit.
Në Bregun Perëndimor, të paktën katër palestinezë u vranë në përleshjet e së hënës midis forcave izraelite dhe palestinezëve në Jenin, skenë e bastisjeve të përsëritura izraelite në kërkim të personave të armatosur. Që nga e diela, forcat izraelite dhe kolonët vranë 115 palestinezë, duke përfshirë 33 të mitur, në Bregun Perëndimor, gjysma e tyre gjatë operacioneve izraelite të kërkim-arrestimit, tha agjencia e OKB-së për Bashkërendimin e Ndihmës Humanitare.
Ushtria izraelite tha herët të hënën se avionët e saj goditën infrastrukturën ushtarake në Siri, pasi raketat nga atje ranë në territorin izraelit.
Sipas ushtrisë së Izraelit rreth 250,000 izraelitë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës përgjatë kufirit me Gazën dhe kufirit verior me Libanin.