Izraeli, Egjipti diskutojnë armëpushimin me Hamasin dhe rindërtimin e Gazës

Prishtinë | 30 Maj 2021 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e Jashtëm të Egjiptit dhe Izraelit janë takuar të dielën në Kajro, për të diskutuar rreth fuqizimit të armëpushimit në mes të Izraelit dhe grupit militant Hamasit, si dhe për rindërtim të Rripit të Gazës pas luftës 11-ditore, që ka dëmtuar rëndë këtë enklavë.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit Sameh Shoukri ka thënë në një deklaratë se bisedimet kanë qenë pjesë e “përpjekjeve të Egjiptit për të ruajtur paqen”.

Ministri i Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi ka thënë pas arritjes në Kajro se do të diskutojë rreth arritjes së armëpushimit të përjetshëm me Hamasin.

Ai ka thënë se bisedimet do të fokusohen edhe në atë sesi të krijohet “një mekanizëm për ofrim të ndihmës humanitare” dhe “rindërtim të Gazës përmes rolit të rëndësishëm që luan komuniteti ndërkombëtar”.

Kjo ka qenë vizita e parë zyrtare e një ministri të Jashtëm izraelit në Egjipt në gati 13 vitet e fundit.

Ndërkohë televizioni shtetëror i Egjiptit ka raportuar se presidenti i këtij shteti Abdel-Fattah al-Sissi ka dërguar shefin e tij të inteligjencës Abbas Kamel, në Tel Aviv për të diskutuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Zyrtarët në Egjipt po ashtu kanë thënë se do të udhëtojnë në Ramallah dhe territoret palestineze për të biseduar me zyrtarë palestinezë.

Javën e kaluar, Egjipti ka ftuar Izraelin, Hamasin dhe Autoritetin Palestinez për diskutime të ndara në Kajro, për të konsoliduar armëpushimin e ndërmjetësuar nga Egjipti, si dhe për rritje të punimeve për rindërtim të Gazës.

Lideri i Hamasit Ismail Haniyeh pritet të vizitojë Kajron javën tjetër, sipas zëdhënësit të këtij grupi Abdelatif al-Qanou. /REL/

Të ngjashme