Izraeli kërkon që ShBA-ja t’ia njohë sovranitetin në Lartësitë Golan

Prishtinë | 07 Jan 2019 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të njohin sovranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan, një zonë e kontestuar në kufi me Sirinë.

Netanyahu i ka bërë këto komente më 6 janar, duke shtuar se një ditë më vonë, ai dhe Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të vizitojnë këtë rajon, nëse janë të përshtatshme kushtet atmosferike.

“Kur jeni aty, e kuptoni menjëherë pse ne nuk do të heqim dorë kurrë nga Lartësitë Golan dhe pse është e rëndësishme që të gjitha shtetet të njohin sovranitetin e Izraelit në këtë zonë”, i ka thënë Netanyahu Boltonit në Jerusalem.

Izraeli e ka pushtuar këtë territor më 1967 dhe më pas e ka aneksuar atë më 1981, mirëpo komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh këtë zonë si pjesë të Izraelit.

Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump ka treguar gatishmëri në të kaluarën për t’iu ikur normave globale sa i përket vendimeve në politikën e jashtme.

Më 2017, ai ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe se ambasada e SHBA-së do të bartej nga Tel Avivi në Jerusalem.

Një gjë e tillë ka nxitur pakënaqësi te palestinezët dhe shumë aleatë të SHBA-së.

Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Izraeli e ka aneksuar këtë zonë dhe ka shpallur gjithë qytetin si kryqytetet, një vendim që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme