Izraeli u kërkon qytetarëve të largohen nga Egjipti dhe Jordania

Prishtinë | 21 Tet 2023 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Izraeli u ka bërë thirrje qytetarëve të tij që të largohen menjëherë nga Egjipti dhe Jordania dhe të përpiqen të shmangin udhëtimet në vende të tjera të rajonit.

“Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit paralajmëron qytetarët që të mos udhëtojnë në Egjipt (përfshirë Sinain) dhe Jordani ,dhe ata që qëndrojnë atje të largohen … sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, raportoi AJ.

Mediat lokale kanë bërë të ditur se njoftimi i Këshillit vjen si shkak i frikës se udhëtarët izraelitë do të jenë objektiva të ndonjë sulmi. Izraeli po përgatitet për një sulm tokësor në Gaza, pas dy javësh sulmesh ajrore në Gaza.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi Izraeli tërhoqi diplomatët e tij nga Turqia si një masë paraprake sigurie pas një kërkese të mëparshme që qytetarët e tij të largoheshin gjithashtu.

Në njoftimin e Këshillit u rekomandua gjithashtu që izraelitët të shmangin qëndrimin edhe në vende të tjera arabe, duke përfshirë Turqinë e Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të ngjashme