Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se sulmet izraelite dhe kërcënimi me ndërhyrje tokësore kanë zhvendosur 600,000 njerëz në Rripin e Gazës. Ndërkohë, rreth 200,000 izraelitët e evakuuar për shkak të sulmeve të Hamasit, po qëndrojnë nëpër hotele dhe bujtina në qytetin turistik Eilat derisa Izraeli po ndërton qytete me tenda për t’i strehuar ata.
Një qytezë tendash po ngrihet në hapësirën e Qendrës së Konventave në periferi të Tel Avivit për grupin më të ri të të evakuuarve izraelitë, që tani po braktisin qytetet dhe fshatrat afër kufirit me Libanin për shkak të kërcënimit nga sulmet me raketa të Hezbollahut dhe depërtimeve të militantëve në atë pjesë.
Deri më tani, shumë nga 200,000 të evakuuarit izraelitë që kanë ikur nga sulmet e Hamasit në jug dhe të Hezbollahut në veri, janë strehuar në hotele në gjithë Izraelin.
Organizata sportive dhe edukuese Kfar Maccabi është njëra nga organizatat që po ndihmojnë në ndërtimin e qytetit me tenda.
“Këtu po bëjmë përpjekje të strehojmë 200 të evakuuar nga pjesa veriore e Izraelit. Kemi vendosur 30 tenda, për t’ua lehtësuar kushtet e jetës sa të jetë e mundur,” thotë zoti Amir Gissin, drejtues i organizatës sportive Kfar Maccabi
Zoti Gissin thotë se tendat i bëjnë ballë motit të ligë nëse lufta vazhdon deri në dimër. Ai thotë se sfida me të cilën përballen është siguria e banorëve, andaj e kanë kufizuar numrin e tyre në 200 ngaqë kaq është numri i njerëzve që mban streha më e afërt për t’u mbrojtur nga raketat e hedhura nga Gaza.
Edhe qyteti turistik Eilat ka përmbushur kapacitetin e vet me të zhvendosurit nga vendbanimet afër Gazës dhe punonjësit po ngrenë një vendbanim tendash për 400 të zhvendosur të rinj nga veriu i Izraelit.
Banorët e vendbanimit Kerem Shalom, që gjendet vetëm 30 metra nga kufiri me Gazën, janë strehuar në një hotel në Eilat, që në kohë të qeta është destinacion i famshëm turistik në Detin e Kuq, një ngushëllim i vogël përballë temrrit që përjetuan.
“Shumë njerëz janë aq të tmerruar dhe të traumatizuar sa që nuk guxojnë të dalin nga hoteli. Prandaj, të jetosh në tendë të bën të ndihesh i pambrojtur dhe nuk na e jep ndjenjën e sigurisë që na duhet. Na duhet të rigjejmë besimin në njerëz dhe ta rindërtojmë forcën tonë e të ndihemi të sigurtë,” tha zonja Bruria Carni Hadas, një banore e zhvendosur nga vendbanimi Kerem Shalom.
Në Gaza, qindra mijëra palestinezë kanë ikur nga shtëpitë e tyre në pjesën veriore të enklavës për shkak të bombardimeve të fuqishme nga aeroplanët ushtarak izraelitë dhe paralajmërimi i Izraelit për të lëvizuar drejt pjesës jugore të Rripit të Gazës në prag të sulmit të paralajmëruar tokësor. Shumë prej tyre po jetojnë nëpër tenda të ngritura nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara para më shumë se dy javëve.
“Jam në këtë tendë prej nëntë ditësh dhe nuk po mundem t’i laj fëmijët. Nuk kam ujë. Nuk kam vend për t’i larë. Nuk gjej rroba të pastra për ta. Nuk kam vend të pastër për t’i ulur. Jam e trishtuar për fëmijët e mi. Kolliten dhe u rrjedhin hundët natën. Djali i madh është me azmë,” tha zonja Sojood Najm, banore e zhvendosur e Gazës.
Nuk ka shenja se lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit do të përfundojë së shpejti, që do të thotë se mijëra njerëz nga dy anët e konfliktit kanë diçka të përbashkët: i pret një dimër i ftohtë në tenda.