Ja cilat janë vendet e Evropës që e kanë vendosur tashmë Gjendjen e Jashtëzakonshme

Prishtinë | 29 Mar 2020 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i shkarkuar Albin Kurti, në seancën e fundit në mënyrë absurde e denoncoi përpjekjen propozimin e presidentit të vendit, LDK-së dhe partive të tjera për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme si një tentim-puçi.

Ai është shprehur se Gjendja e Jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme dhe e padobishme. Mirëpo, shumica e vendeve të Evropës tashmë e kanë vendosur.

Gjendja e Jashtëzakonshme konsiderohet një masë eksreme e parashikuar nga Kushtetuta që bëhet në kushtet emergjente sikurse mund të jenë sulmet e armatosura kundër, një fatkeqësie natyrore, një trazirë civile, një krize e rëndë financiare apo një epidemi sikurse është kjo e Covid 19.

Në kuadër të Gjendjes së Jashtëzakonshme, mes të tjerave kufizohen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe jo vetëm që nuk kërcënohet qeveria, por i jepet madje më shumë autoritet për të ndërmarrë masat emergjente. Kjo është arsyeja pse shumicave e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të kërcënuara nga pandemia e koronavirusit e kanë shpallur tashmë Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Deri sot, Gjendjen e Jashtëzakonshme e kanë shpallur këto vende: Belgjika, Bullgaria, Qipro, Çekia, Estonia, Finlanda, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Në asnjë nga këto vende që janë demokraci të konsoliduara nuk ka pasur ndonjë debat apo denoncim se është bërë puç shteti duke shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme. Po ashtu Gjendjen e Jashtëzakonshme e kanë shpallur edhe shtetet fqinje të Kosovës, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia si dhe vende të tjera jashtë BE-së si Zvicra apo Ukraina.

Ndërkaq edhe në vende të tjera të Evropës është duke u diskutuar çështja e vendosjes së Gjendjes së Jashtëzakonshme, nëse përkeqësohet situata e tyre.


Të ngjashme