Zyra e Bashkimit Evropian ka kërkuar që t’u jepet fund pagave të pakufishme në institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo zyrë është mbështetëse edhe e hartimit të Ligjit për Pagat, për të cilin Qeveria kishte paralajmëruar ta miratonte javën e kaluar, por kjo nuk ndodhi.
Zëdhënësja e zyrës së BE-së, Dinka Zhival ka thënë për “Kohën Ditore” se është e domosdoshme që nëpërmjet ligjit të vihet kufiri për pagat e zyrtarëve të lartë.
“Qeveria e Kosovës është në procesin e hartimit të Ligjit për Pagat, si pjesë e reformave më të mëdha në administratën publike, të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Ligji do të përcaktojë sistemin e pagave dhe mëditjeve për zyrtarët dhe funksionarët publikë, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave për punonjësit e ndërmarrjeve publike në Kosovë”, ka thënë Zhival.