Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota për, 30 kundër dhe 8 abstenime, raporton Ekonomia Online.
Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.
Për zgjedhjen e kryeparlamentarit nevojiten të paktën 61 vota për.
Basha: E ndiej përgjegjësinë për besimin tuaj
Dimal Basha në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës theksoi se Kosova është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm.
“E ndiej përgjegjësinë për besimin tuaj dhe gjithashtu do të marrë momentin për të falënderuar Avni Deharin, dhe Sala Jasharin, për mbajtjen e këtyre seancave. E ndjej përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Ky vend është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohet zëri i të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë u ndërtua mbi sakrifica se liria dhe shteti unë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm.
Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre.
Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.
Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse jetojmë në një demokraci.
“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Basha.
Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë, por jo edhe i komunitetit serb
Kuvendi i Kosovës pas zgjedhjes së kryetarit Dimal Basha shkoi në një pauzë për t’u diskutuar në lidhje me kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
U zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit Albulena Haxhiu e VV-së, Vlora Çitaku e PDK-së dhe Kujtim Shala i LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Por nuk u bë zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Pas mosvotimit tri herë të kandidatit të Listës Serbe Slavko Simiq dhe insistimit të Listës Serbe që vetëm ky të jetë kandidati i tyre, Basha propozoi që me short të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga komunitetit serb, raporton Ekonomia Online.
Po as me short nuk morën numër të mjaftueshëm të votave as Verica Çeraniq e Stefan Kovaçeviq, as Nenad Rashiq.
Duke qenë se asnjëri prej kandidatëve të dalë nga shorti nuk i kanë siguruar votat e nevojshme, ai ka kërkuar ndaljen e punimeve, për t’u takuar sërish të enjten në orën 11:00.
Krasniqi: Askush i kënaqur me zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit
Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë zgjedhje nuk është e kënaqur as Vetëvendosje , as qytetarët, as PDK-ja, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se fjalën që e kanë dhënë e kanë mbajtur sot. Sipas tij, nuk janë të lumtur që Dimal Basha është kryetar i Kuvendit, madje as deputetët e Vetëvendosjes nuk janë të lumtur.
“I patë me fytyra të varura”, tha ai për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi shtoi se VV-ja u ka humbur kohë që të merren me tema që u interesojnë qytetarëve.
“LVV-ja u dorëzua para ligjit”.
Ai përmendi Gluak Konjufcën, Saranda Bogujevci e Shqipe Selimin si kandidatë më të mirë për të marrë pozitën e kryekuvendarit.
“Qytetarët e kanë parë qartë se sa i vlerëson Albin Kurti. Vetëvendosja e ka vënë në grackë gjithë popullin e Kosovës, ose edhe ata kanë rënë vetë sepse kanë menduar që nuk ua votojmë pa konsultë”, tha Krasniqi.
Abidixhiku: Votat e PDK-së dhe AAK-së për Bashën – gabim trashanik, moszgjedhja e nënkryetarit serb – krizë e re
Kryetari i LDK-së, Lumir Abidixhiku, pas seancës konstituive, e quajti gabim trashanik’ votën e PDK-së dhe AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ai paralajmëroi se Kosova mund të futet edhe në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me moszgjedhjen e nënkryetarit të parlamentit nga radhët e komunitetit jo shumicë serbe.
‘‘E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë pakicës serbe e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtë për propozim. Ajo çka është fatkeq është që Kosova me institucionet e saj të mos mbetet peng i vullnetit të Beogradit. Ne s’marrim pjesë që s’i konsiderojmë si Kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor’’, tha Abdixhiku.
Haradinaj: I pyeta a e keni seriozisht, më thanë po
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se e votoi Dimal Bashën për kryeparlamentar meqë vetë Vetëvendosje e konsideroi si emër serioz për pozitën që tashmë u ngarkua, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, Haradinaj ngriti shqetësim edhe për një sfidë tjetër, atë të nënkryetarëve.
”I pyeta, a e keni seriozisht më thanë po, e votova dhe ju uroj suksese. Ky është realiteti i Kosovës dhe deri në pafundësi s’mund ta lëmë kështu. Ta shohim tash sfidën e radhës me nënkryetarë. Edhe aty e shoh një problem që s’do të kalojë lehtë. Një herë do jenë nënkryetarët e partive shqiptare, pastaj nënkryetari i komunitetit serb, i cili nuk e di se si do të jetë situata e numrit të votave. Ne i kemi dhënë një shans dhe duhet me i dhënë mundësi që ai me dëshmuar seriozitetin e tij”, tha Haradinaj.
Limaj: VV duhet të japë shpjegim pse vendi u vonua me muaj
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zgjedhjes së Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje të japë një shpjegim për qytetarët e Kosovës lidhur me vonesat në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Le të japë një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri me tani sa muaj. Shpresoj që do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës pse është vonuar vendi deri me tani”, tha Limaj.
Basha u zgjodh sot kryeparlamentar pas muajve të tërë ngërçi në Kuvend. Ai mori 73 vota për, duke marrë mbështetje edhe në Partinë Demokratike e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Nisma në vazhdimësi ka abstenuar me tre deputetët e vet. Kjo parti pati thënë se është Limaj ai që duhej të bëhej kryetar i Kuvendit.