Pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Qeverisë nr. 05/2016 mbi standardet minimale për procesin e konsultimit publik më 1 janar 2017, Qeveria e Kosovës është duke lansuar platformën online për konsultime publike, si mjet kryesor për zbatimin e standardeve të aprovuara minimale në procesin e politikbërjes.
Platforma online është pikë e vetme e qasjes për të gjitha konsultimet publike të kryera nga organet publike mbi projektligjet, koncept dokumentet, dokumentet strategjike dhe aktet e tjera që i nënshtrohen konsultimeve publike, në përputhje me Rregulloren.
Platforma u zhvillua me mbështetjen e projektit dy vjeçar të financuar nga BE-ja “Mbështetja e zbatimit të strategjisë së qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile”, e cila synon të përmirësojë kapacitetin e Qeverisë së Kosovës në krijimin e bashkëpunimit efektiv me shoqërinë civile në përmbushjen e reformave ekonomike dhe sociale.
Kjo ngjarje do të ofrojë mundësi diskutimi mbi sfidat dhe mundësitë e zbatimit të standardeve minimale të procesit të konsultimit publik me aktorët kryesor të shoqërisë civile, organeve të qeverisë, komunitetit të donatorëve dhe medias.