Në një artikull të publikuar sot në faqen e transmetuesit publik të Zvicrës SRF, bëhet fjalë për gjykimin e pritshëm që do t`i bëhet Azem Sylës gjatë kësaj vere, nga gjykata e Eulex-it në Prishtinë. Artikulli është një përmbledhje e emisionit shumë të shikuar “Rundschau” të televizionit SRF, i cili do të emetohet sonte nga ora 20.55.
“Heroi i UÇK-së, Azem Syla duket të ketë vënë në organizatën e tij kriminele paratë nga ndihmat sociale të marra në Solothurn (kantoni zviceran ku ai ka jetuar). Ai ka marrë ndihma sociale në Kantonin e Solothurnit ndërsa në Kosovë në vitin 1999 ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare UÇK dhe më vonë edhe deputet, thuhet në artikullin të cilin albinfo.ch e sjell në gjuhën shqipe.
Sipas hulumtimeve të “Rundschau”, Syla i ka investuar këto para në ngritjen e klanit të tij mafioz. Aktualusht ai ndodhet në burg, në Kosovë. Kësaj vere atë e pret procesi gjyqësor për mashtrimet e bëra me shitblerjet e tokës së refugjatëve serbë të luftës.
Ai ka vepruar i heshtur nga prapavija, i ka evituar të gjitha gjurmët, thuhet në aktakuzën e Eulex-it kundër Azem Sylës. “Ai ka grumbulluar 450 mijë euro, të cilat i ka marrë nga sistemi social i Zvicrës. Me probabilitet të madh këto të holla janë përdorur për të financuar aktivitetet e organizatës së tij kriminele”, citohet më tutje teksti i aktakuzës së Eulex-it.
Syla, duke filluar nga viti 2002 ka marrë në Solothurn ndihma sociale për 9 vite. Prokuroria e Solothurnit qe detyruar në vitin 2014 të ndërpriste një procedurë kundër Sylës për abuzim me ndihmat sociale, pasi që nuk kishte mundur të dëshmonte ekzistimin e vlerave pasurore të tij në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Ndërsa tash, sipas hetuesve të Eulex-it, është e qartë: Syla do t`i ketë menaxhuar kontot e veta përmes një personi i cili figuron rrejshëm si pronar i tyre. Por megjithatë, thuhet në artikull, është e çuditshme se si ka mundur të shpallet i sëmurë psikik në Zvicër një person kaq influencues në Kosovë!
Më tutje fjala i jepet gazetarit hulumtues nga Kosova, Vehbi Kajtazit, i cili me artikujt e toj mbi Azem Sylë në portalin e tij hulumtues “Insajderi” ka vënë në rrezik jetën e vet. “Me paratë nga Zvicra, grupi i tij ka shtuar ndikimin. Ai (grupi) është pasuruar përmes metodave kriminale, ka falsifikuar dokumente, ka mitosur punonjësit e autoriteteve gjyqësore”, përcjell albinfo.ch. Kajtazi konsideron se banda e Sylës me mashtrimin rreth tokave ka fituar rreth 30 milionë euro.
Emisioni “Rundschau” sjell në mënyrë ekskluzive një dëshmitar të akuzës kundër Azem Sylës. Ai mbetet anonim, pasi që qysh nga dëshmia që ka dhënë para autoriteteve, frikësohet për jetën e tij. “Azem Syla ka një autoritet të lartë. Këta njerëz kanë frikë nga ai, ata e respektojnë dhe e dëgjojnë atë”.
“Syla gjithmonë është kujdesur që emri i tij të mbetet i pastër”, thotë avokati i tij Besnik Berisha, duke shtuar se ai nuk ka fare lidhje me mafinë e tokave. “Njerëzit që deri tash kanë dëshmuar kundër Azem Sylës, nuk janë njerëz të besueshëm.