Po po unë e dua Driton Kukën.
Në këtë maskaradë të shoqërisë shqiptare këtej e andej Drinit, ku meritokracia është mision thuajse i pamundur, ku talentet e fushave të ndryshme janë të destinuara të kalojnë tërë jetën pa iu dhënë kurrë mundësia të japin atë që munden, Dritoni është shqiptari që përcjell mentalitetin ndryshe.
Flatrojmë mbi shkëmbinj mohimi ne si komb. Nuk arrijmë dot kurrë të krijojmë sisteme, anipse kemi njerëz të përgatitur në masën e duhur në çdo lëmi dije, arti dhe sporti. Kemi një bezdi deri në tmerr ndaj krijuesve. Ne përherë ngremë dikë për t’ja dh…. dikujt tjetër.
E çojmë deri në atë skaj mërinë e pashkak, indiferentizmin e ligë dhe gëzimin se ia punuam atij që do të bënte përpara, me një të tillë gëzim e krenari budallai, sa ai që ia punon tjetrit paq, katandiset dikur, diku në një masë plehu lëvizëse që nuk e di se çfarë fitoi me këtë që bëri.
Është ky një rreth ciklik që talentet e çdo fushe i lë në hije, i bën të marrin udhët e mërgimit dhe e lë sistemin bjerrakeq, me njerëz që punësohen prej fillimit aty dhe vegjetojnë derisa të jetë jeta. Është specie e vyer fort për shkatërrim shqiptari, që bërtet e ulërin me flamur në dorë, ndërkohë që në festën pas valëvitjes se flamurit, i lë shesheve kryesore mbeturinat e festës.
Unë ndaj e dua Driton Kukën, se në këtë maskaradë për vrasjen e talenteve, bash aty në zemër të Dardanisë nxjerr më të mirën prej sportistëve të gjakut arbëror. Sheh dritën e thellë te secila sportiste. Dritën falë talentit që do t’i ngjisë në piedestal të sportit botëror, aty ku me medaljet do të valëvitet dhe flamuri kombëtar.
Sepse për Driton Kukën flamuri nuk është ajo copë beze që valëvitet plot ekstazë, sa herë një qenie që e quan veten shqiptar e kap idiotësia ta valëvisë në ajër. Se diçka e kuqe duhet valëvitur, që dikush të marrë revansh demash pa kurrfarë shkaku.