Sipas një studimi të kohëve të fundit lëndët kanceroze të duhanit mbeten në ambjentet e shtëpive tuaja për më shumë se 6 muaj. Edhe nëse hiqni dorë nga duhani, por e keni pirë atë brenda shtëpisë tuaj më parë, lëndët e dëmshme mbeten sërish atje, në divane, mure dhe tapete. Edhe njerëzit e tjerë që banojnë në atë shtëpi, qofshin ish-duhanpirës apo që nuk e kanë pirë asnjëherë duhanin, do të kenë rritje të nivelit të lëndëve të dëmshme. Kërkuesit e universitetit të San Diegos ngulin këmbë se zbulimet e bëra duhet të shërbejnë si një paralajmërim për duhanpirësit se zakoni i tyre i të pirit duhan prek dhe dëmton rëndë edhe njerëzit e tjerë rreth tyre.
“ Është e rëndësishme të dihet se si lëndët e dëmshme të duhanit qëndrojnë në shtëpi dhe se si janë të ekspozuar personat që jetojnë në atë shtëpi ndaj lëndëve toksike” tha Georg Matt, drejtuesi i studimit dhe njëkohësisht profesor psikologjie pranë universitetit San Diego.
Profesor Matt dhe kolegët e tij studiuan 90 duhanpirës të cilët ishin gati të hiqnin dorë prej duhanit. Në harkun kohor të 6 muajve, kërkuesit vizituan në mënyrë të vazhdueshme shtëpitë e ish duhanpirësve.
Ata morën mostra nga muret, dyert, pluhuri në dysheme, urina dhe nga duart e banorëve të shtëpisë. Gjatë analizës së këtyre mostrave, ata kërkuan për prani të ndonjë kimikati që ka lidhje me duhanin, si nikotina, kotinina, dhe për lëndën që njihet si shkaktar i mundshëm i kancerit të mushkërive, NNK.
Nga 90 persona që ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga duhani, vetëm 80% ia dolën, në sipërfaqet e banesave të tyre dhe në gishtat e tyre u vu re një ulje e ndjeshme e sasisë së nikotinës. Ajo çka ishte më shqetësuese ishte zbulimi se sasia e nikotines dhe NNK në pluhurin e dyshemesë mbeti e njejtë për 6 muaj .
Testet e kryera mbi personat të cilët banonin në shtëpitë e ish duhanpirësve, treguan se sasia e lëndëve kancerogjene te ta u ul fare pak ose aspak.
Dr. Matt tha se pyetja kryesore lidhej me faktin se sa kohë duhet që shtëpia e një ish duhanpirësi të pastrohet plotësisht nga lëndët e dëmshme. Sipas profesor Matt fakti që ambjenti nuk pastrohet plotësisht nga duhani edhe pasi është hequr dorë prej tij, është një nga arsyet se përse duhanpirësit e kanë kaq të vështirë ta lënë atë. Aroma e duhanit është kudo, që do të thotë se tundimi për ta filluar sërish atë është ende i pranishëm.
Dr Matt tha se lënia e duhanit është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të përmirësuar shëndetin tuaj, nëse kjo gjë është e vështirë për duhanpirësit, të paktën hiqni dorë nga pirja e tij në ambientet e shtëpisë ose ambiente të mbyllura pasi dëmi që i shkaktoni vetes dhe të tjerëve rreth jush është shumë i madh.