Mbrëmjen e djeshme në Tiranë, Roma mposhti 1-0 Feyenoordin në finalen e edicionit të parë të Ligës së Konferencës dhe arriti trofeun e parë europian pas vitit 1961.
Skuadra e Jose Mourinhos festoi me golin e Zaniolos në minutën e 32-të dhe trajneri portugez, Jose Mourinho u bë i dyti në histori që fiton pesë trofe evropianë, përcjell GazetaBlic Sport.
Sa para fitoi Roma nga ky triumf?
Për kualifikimin në grupe Roma ka marrë 2.94 milionë euro dhe më pas 166.000 euro për çdo pikë të fituar. Roma fitoi 13 prej tyre, duke fituar 2.15 milionë euro shtesë.
Ata fituan një bonus prej 650.000 eurosh për vendin e parë në grup, 300.000 të tjera për kalimin e grupit dhe 600.000 euro të tjera për vendosjen në fazën e 16 më të mirëve.Me hyrjen në çerekfinale fitoi një milion shtesë, dy për gjysmëfinalet dhe fitorja e konkursit i solli pesë milionë euro të tjera.
Kështu, Roma fitoi 14.6 milionë euro këtë sezon të Ligës së Konferencës, ku nuk përfshihen një pjesë e të ardhurave nga të drejtat televizive, si dhe bonusi për koeficientin europian. Roma do t’i marrë këto para më vonë dhe kështu pagesa totale do të rritet në gati 20 milionë euro.