Jack White ndalon përdorimin e celularëve në koncerte

Prishtinë | 27 Jan 2018 | 09:01 | Nga

Viteve të fundit, disa prej emrave më të mëdhenj në muzikë kanë përçuar një mesazh të thjeshtë për fansat e tyre: Mbani larg telefonat tuaj.

Beyoncé dhe Alicia Keys kanë kërkuar me mirësjellje që ata që janë në koncerte të mbajnë në xhep telefonat e mençur dhe pajisjet e tjera elektronike.

Edhe dyshja indie She&Him dhe Flight of Conchords e kanë bërë gjithashtu.

Madje Adele, pikërisht për këtë punë, edhe e qortoi një grua në një koncert në Itali.

“A mund të ndalosh së xhiruari me një video kamera? Sepse unë në të vërtetë këtu jam në jetën reale”, i ishte drejtuar ajo.

Këtë javë, Jack White u bë artisti i fundit që mori vendim për të ndaluar përdorimin e telefonave celularë në koncertet “live” ( të drejtpërdrejta), transmeton Klan Kosova.

Ish-frontmeni i White Stripes, i cili pritet të publikojë një album të ri në muajin mars, tha në një deklaratë se koncertet e tij të ardhshme do të jenë “pa telefon”.

“Ne mendojmë se ju do të kënaqeni më shumë nëse rrini larg pajisjeve tuaja elektronike për pak kohë dhe e përjetoni muzikën dhe dashurinë tonë të përbashkët aty, në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha White.

Por si do të funksionojë kjo?

42 vjeçari White tha se dëshiron që fansat e tij të mbajnë “të gjithë telefonat dhe pajisjet tjera elektronike për fotografi apo video” në një çantë të quajtur Yondr.

Këtë çantë, fansat do ta mbajnë me vete, por ajo mbetet e mbyllur derisa ata janë në zonën e sanksionuar “pa telefon”, duke i mbajtur ata kështu larg shkrepjes së fotove, xhirimit të videove dhe përdorimit të rrjeteve sociale.

Fansat mund të zhbllokojnë çantën për të bërë një telefonatë emergjente për aq kohë sa largohen nga ajo zonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme