Më pak se 10 sekonda, saktësisht 9 sekonda e 80 të qindtat, që të ndryshojnë përgjithmonë jetën. Madje më tepër, pasi siç përsëritin ekspertët e marketingut sportiv “një ar olimpik ndryshon jetën e një atleti, por ai në 100 metra ndryshon të tijën dhe të tre brezave pas tij”.
Diçka të tillë do ta zbulojë shpejt Marcell Jacobs, që pasi fitoi medaljen e artë në garën e 100 metrave për Italinë, projektohet në një dimension krejt tjetër, aq sa në Shtetet e Bashkuara bëjnë llogarinë e efekteve të menjëhershme që do të ketë suksesi i tij në aspektin financiar.
Jacobs nuk do të bëhet i pasur nga shpërblimi prej 180 mijë eurosh bruto që i jep Komiteti Olimpik Italian, një shumë që taksohet me 42%, por prej gjithë benefiteve që do ta rrethojnë. Një faqe e specializuar amerikane, për shembull, ka përllogaritur se fitorja në garën e 100 metrave do t’i japë Jacobs në një kohë të shkurtër plot 5 milionë dollarë.
Veç të tjerash, atleti është një personazh bashkëkohor që menjëherë mund të ketë një impakt të fortë në fusha si moda apo nutricionizmi dhe brenda pak kohësh nga 144 mijë ndjekës arrin plot 1 milionë të tillë në faqen e tij në Instagram. Të paktën 124 milionë njerëz e kanë parë të triumfonte në Tokio, çka vlerëson menjëherë atë që mund të konsiderohet brandi, apo thënë më shqip marka e tij.
Menjëherë do të rritet kërkesa për të për të marrë pjesë në takime të rëndësishme, një detaj për të cilin, për shembull, Bolt merte 300 mijë dollarë për çdo pjesëmarrje dhe vetëm nga sponsori kryesor. Nga ai teknik personal, që në rastin e tij është Nike, mund të fitojë 3 milionë e gjysmë euro në vit.
Përveç të tjerash, Jacobs, mund të jetë protagonist i spoteve publicitare edhe ndërkombëtare. Sigurisht që nuk do të arrijë 34 milionë eurot në vit, që, sipas Forbes, fitonte Bolt deri në ditën e tërheqjes, por sigurisht që jeta e tij ka ndryshuar përgjithmonë, dhe madje mund të sigurojë edhe të ardhmen e nipave dhe mbesave.