Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e habitur që organizatorët e Konferencës Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict), i kanë bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit,dikur zëdhënës dhe bashkëpunëtor i Slobodan Millosheviqit, e tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.
Ajo deklaroi se kjo është edhe më e habitshme, derisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë.
“A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit?”, shtroi pyetje Jahjaga, sipas së cilës, Daçiq ishte pjesë e një regjimi politik, politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave.
“Kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm’, deklaroi ish presidentja Jahjaga.
Ajo u shpreh se gjatë vizitës së në Kosovë në vitin 2016, Lartmadhëria e Tij, Mbreti Charles III, takoi të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Mbretëria e Bashkuar është lider global në përpjekjet për ta parandaluar dhunën seksuale në konflikt, dhe Kosova ka gjetur një shtet mik krahas të cilit kërkon drejtësi për të mbijetuarit”, deklaroi Jahjaga, duke shtuar se “viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi, e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt”.
Në lidhje me prezencën e Daçiqit në këtë konferencë, ka reaguar ministrja e Punëve të jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Në shenjë reagimi, ajo ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen se cilat janë problemet me të cilat përballet Kosova në adresimin e kësaj çështjeje.
Sipas Gërvallës, të flasësh për këtë temë, në vendin e njëjtë ku ishte Daçiq, një arkitekt e këtij krimi, në prani të të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë e Bosnje, më së paku është mos respekt ndaj viktimave.
Një veprim e deklarim i tillë i saj, bëri që ajo të duartrokitet disa herë nga të pranishmit.