Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po dëshmon në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga Eliot Engel. Ajo është ftuar të dëshmojë krimet e serbëve ndaj shqiptarëve dhe për viktimat seksuale gjatë luftës.
Jahjaga është përshkruar nga Engel, si një aktiviste që ka ndihmuar viktimat e luftës, e sidomos gratë që ishin viktima seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Ne do të donim të shfrytëzonim këtë rast për të shprehur pjesë nga historia jonë e dhimbshme dhe të marrim përkrahje për kërkimin e drejtësisë”, ka thënë Jahjaga në Kongresin Amerikan.
Ajo thotë se edhe përkundër mijëra shqiptarëve që u preken drejtpërdrejt nga lufta, përkundër se Kosova numëron aq shumë të vdekur nga lufta, e të tjerë viktima të dhunës, Serbia akoma mohon cdo krim.
“Ka pasur më shumë akuza për UCK’në se sa për krimet që kanë kryer serbët, e që kanë qenë të organizuara mirë”, është shprehur Presidentja Jahjaga.
Bashkë me Jahjagën në Kongres do të dëshmojë edhe Vasfije Krasniqi – Goodman, e cila është gruaja e parë që ka rrëfyer historinë e saj të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës.
“Ajo bërë historinë duke qenë viktima e parë që ka treguar për dhunimin e saj, duke iu dhënë kurajo edhe shumë viktimave të tjera”, ka thënë Kongresmeni Engel.