Ish-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga po qëndron në Doha të Katarit, e ftuar në Forumin për Zhvillim, Stabilitet dhe Krizën e Refugjatëve, që organizohet nën patronatin e Lartëmadhërisë së tij, Emirit të Katarit, Tamim Bin Hamad Al-Thani.
Gjatë këtij qëndrimi në Katar, zonja Jahjaga u takua me Mbretin Tamim Bin Hamad Al-Thani.
Me Lartëmadhërinë e tij, ish-Presidentja Jahjaga bisedoi për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Katarit, në veçanti bashkëpunimit ekonomik, duke e ftuar Emirin që të sjellë investime të reja në Kosovë dhe lobim për njohje në këtë pjesë të botës.
Ajo, po ashtu shfrytëzoi këtë takim për ta falënderuar Lartëmadhërinë e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Katari i ka dhënë Kosovës.
Zonja Jahjaga gjithashtu u takua me personalitete të ndryshme që po marrin pjesë në këtë Forum, ku temë boshte e këtyre takimeve ishte fuqizimi i gruas në vendimmarrje dhe gjetja e mundësive të bashkëpunimit me Kosovën.
Me moton “Aty ku mendimtarët dhe vendimmarrësit takohen”, ky Forum i përvjetshëm mbledh pjesëmarrës nga e gjithë bota dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi për adresimin e sfidave të ndryshme globale.