Jahjaga vizitë në Klinikën e Onkologjisë: Diagnostikimi i hershëm do të thotë jetë dhe shpëtim më i sigurt

Prishtinë | 20 Tet 2021 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të muajit tetor, që ndryshe njihet si muaji i luftimit të kancerit të gjirit, Grupi i Grave Deputete, të shoqëruara nga ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vizituan Qendrën Klinike Universitare dhe u pritën në takim nga kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Agreta Gecaj-Gashi, dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Ish-presidentja, ka thënë se gjatë takimit me të diskutuan për gjendjen e spitalit duke i dhënë fokus Klinikës së Onkologjisë dhe të prekurve me kancerin e gjirit.

“Tutje vazhduam vizitën në Klinikën e Onkologjisë ku u pritëm nga drejtori Ilir Kurtishi i cili na shoqëroi në pjesë të ndryshme të repartit, ku trajtohen të prekurit. Kjo nuk do të mbetet thjeshtë një vizitë, por, nga kjo do të dalin punë konkrete të cilat do i shërbejnë pacientëve por edhe stafit mjekësor të cilët po e bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Gjithsesi, bëjmë thirrje që gratë të bëjnë kontrolle sistematike, pasi që diagnostifikimi i hershëm do të thotë jetë dhe shpëtim më i sigurt. Atyre që po e luftojnë këtë sëmundje, ju them të mos dorëzohen as edhe një moment, ju do ia dilni e do i riktheheni jetës të shëndosh pranë më të dashurve tuaj”, ka shkruar Jahjaga.

Të ngjashme