Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi është deklaruar i pafajshëm në seancën e radhës të Gjykatës Speciale, lidhur me akuzat e reja për krime lufte.
Krasniqi para Speciales ka thënë se e ka të vështirë të kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin e saj.
Ai është shprehur se veprat për të cilat akuzohet nuk i ka kryer asnjëherë në jetën e tij.
“I kam lexuar aktakuzën dhe muj me thënë me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bnidur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Deklarohem tërësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Krasniqi.
“Sot po i them disa fjalë. Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar po të mos ishte ky rast se juristë të shkulluar në vendet me demokraci liberale, me traditë, që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngrisin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë lirinë, jetën e të drejtën e individit, e madje e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë”, tha Krasniqi.
Ai tha se gjatë luftës në Kosovë, “nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidal sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”.
“Luftërat dhe padrejtësitë nuk janë vepra të të virtytshme, por kjo e fundit nuk vlen për luftërat për jetë, për liri e për çlirim”, theksoi Krasniqi.
Në fund të fjalimit, ai tha se i ka lexuar akuzat e reja dhe se nuk e kupton. Krasniqi kërkoi që gjyqi të fillojë sa më shpejt.
“Unë z. gjyqtar, i kam lexuar dokumentet, aktakuzën, edhe këtë shtesën e fundit, dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptojë edhe aktakuzën e parë, edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm. Dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim”, tha ai.