Aktori i njohur amerikan, James Franco, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se ai ka shfrytëzuar seksualisht dy studente femra, ndërkohë që tregon se ato kanë filluar këtë histori për të qenë më shumë në vëmendje.
41-vjeçari ka paraqitur një kundërshtim me shkrim për një padi të ngritur në tetor 2019 nga Sarah Tither-Kaplan dhe Toni Gaal.
Ai thotë se akuzat e tyre janë “të ndyra” dhe se janë “të uritura për vëmendje”, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People.
“Megjithëse detajet e ndyra të akuzës së tyre ishin ushqim i shkëlqyeshëm për tabloidet, procesi gjyqësor është gjithashtu i pabazuar ligjërisht, me qëllim të marrjes të sa më shumë publicitetit. Ky proces është kulmi i një fushate të pamëshirshme që padrejtësisht shkatërroi reputacionin e fituar me forcë të një vlere njeriu”, thuhet në ankesë.
Tither-Kaplan akuzoi Franco për shfrytëzim seksual në janar 2018 me katër femra të tjera, dhe storia u botua në “Los Angeles Times”.
Kaplan tha se Franco hoqi sytjenat e saj ndërsa filmonte një skenë në filmin “The Long Home”, në vitin 2015.
“Kuptova shumë shpejt që këtij djali nuk i thuhej ‘jo’. Ishte një abuzim i pushtetit dhe kishte një kulturë të shfrytëzimit të femrave që nuk janë të famshme dhe janë të zëvendësueshme”, tha ajo. Në tetor, Tither-Kaplan dhe Gaal akuzuan Franco dhe partnerët e tij të biznesit për përfshirje në “sjellje seksuale të papërshtatshme ndaj studenteve femra, duke abuzuar me pozitën e tyre si punëdhënës dhe duke i kushtëzuar ato si mundësi për role në projektet e tyre”.
Ato akuzojnë Franco për diskriminim seksual, ngacmim seksual dhe mashtrim.
Në anën tjetër, avokati Michael Plonsker ka mohuar akuzat në emër të aktorit.