Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay” dhe autore e artikullit të vitit 2012 “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Ndërkombëtar, Islami Fundamental dhe Aleancat e Pahijshme”, ka reaguar pas diskutimeve në Kosovë për përmbajtjen e artikullit pasi njëri nga autorët e tij është edhe kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Arsovska në një reagim dërguar mediave ka thënë se Basha është përgjegjës vetëm për kapitullin tre të këtij artikulli, dhe se për pjesën tjetër është ajo autorja.
“Meqenëse unë jam autorja e pjesës më të madhe të punës në këtë studim, do të doja t’ia bëja të qartë publikut se Dimal Basha është përgjegjës vetëm për kapitullin e tretë “Zgjerimi i islamit radikal” dhe asnjë nga kapitujt e tjerë nuk janë punë e tij. Shkurt, z. Basha paraqiti vetëm kapitullin e tretë për botim, një pjesë që shqyrton përhapjen e islamit fundamentalist në Europën Juglindore me një fokus të veçantë në Kosovë”- ka shkruar ajo në reagimin e saj.