Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla.
“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla”, ka njoftuar Sveçla, në një postim në Facebook.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Sveçla.
Gazetari dhe drejtor i Gazetës Metro, Valon Syla, u sulmua mbrëmë rreth mesnatës nga tre persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.
Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Europë.
Sulmin e ka dënuar menjëherë kryetari i Kuvendit, ndërsa sot kanë reaguar edhe kryeministri Kurti dhe disa nga ministrat e tij. Por nuk ka pasur asnjë reagim nga presidentja Vjosa Osmani.