Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e targave.
Sipas tij, që nga prilli i vitit të kaluar, targat kanë qenë baza për mobilizimin politik, ngritjen e barrikadave, por që realisht, sipas tij, kjo çështje ka qenë vazhdimisht për të shkuar në zgjedhje.
“Që nga janari i vitit 2017 flitet se nuk do ta japim ‘Trepçën’, por ‘Trepça’ përfundoi në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, pastaj gjatë rrugës u shtua edhe Asociacioni i komunave serbe dhe kështu vazhdoi deri vitin e kaluar. Që nga prilli i vitit të kaluar, targat kanë qenë baza për mobilizimin politik, ngritjen e barrikadave, realisht për dalje në zgjedhje. Pastaj ishin zgjedhjet lokale në Kosovë, pastaj zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe tani askush nuk e përmend Asociacionin e komunave serbe. Kur e shihni, del se ka diçka që nuk shkon. Çfarë ka që nuk shkon, në të vërtetë? Që nga viti 2017, kur nisën të përdoreshin barrikadat, në të njëjtën kohë vazhdonte ideja e demarkacionit, ndarjes së territorit. Ato barrikada nuk ishin kurrë në jug, ku jetojnë më shumë serbë sesa në veri, që, shumica e politikanëve serbë menduan se ishte minimumi që Serbia duhet të mbante”, shpjegon Janjiqi për televizionin serb “Nova S”.
Ai kujton se këtë ide Vuçiqi e ka risjellë në vitin 2017 me planet që kishte me ish-kryeministrin Hashim Thaçin dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Ata nuk angazhohen në dialog politik, puna e tyre kryesore është zgjidhja politike dhe menaxhimi i konflikteve, jo krijimi i konflikteve. Politikanët, Hashim Thaçi në të kaluarën, dhe Ramush Haradinaj me taksën e famshme dhe Kurti tani, si dhe Vuçiqi, e përdorin këtë mekanizëm të ngritjes së tensioneve që në thelb të mos zgjidhet asgjë”.
Sipas fjalëve të tij, “është evidente se Kurti është duke humbur në atë lojë gare me Vuçiqin që nga prilli i vitit të kaluar, edhe pse ai ende fiton numrin më të madh të votave, por numri i tyre është në rënie”.
Janjiqi thotë më tej se “ai nuk njeh rrugë tjetër përveç të ashtuquajturës politikë të reciprocitetit, e cila është mënyra e tij për të treguar patriotizmin e tij ndaj shqiptarëve”.
“Ai po përgatitet për zgjedhje”, ka thënë Janjiqi.