Adnan Januzaj është futur në vitin e fundit të kontratës me Real Sociedadin.
Anësori nga Kosova ka katër vite që është pjesë e klubit spanjoll ku ka pasur paraqitje shumë të mira.
Megjithatë duket se sulmuesi i krahut dëshiron të ndërroj mjedis dhe e ardhmja e tij mund të jetë në Turqi.
Drejtuesit e klubit spanjoll i kanë ofruar kontratë të re Januzajt deri në verën e vitit 2024, por istogasi ka refuzuar të nënshkruajë.
Kontrata aktuale e lojtarit me Sociedadin skadon në verën e vitit 2022 dhe klubi spanjoll synon ta shes tani në mënyrë që mos ta humbas verën e vitit të ardhshëm pa fituar asgjë.
26-vjeçari karrierën mund ta vazhdoj në Turqi, ku nën kampioni i këtij shteti Galatasaray po dëshiron transferimin e tij.
Reprezentuesi i Belgjikës pëlqehet shumë nga trajneri Fatih Terim i cili ka kërkuar nga klubi që ta sjellin kosovarin në Stamboll.
Fotomac shkruan se Galatasaray do të dërgojë së shpejti një ofertë në drejtim të Sociedadit për Januzajn.
Duke marrë parasysh që kontrata e tij skadon pas një viti, largimi i Januzajt nga San Sebastian mund të ndodh për një shumë rreth tetë milionë euro.
Januzaj këtë edicion ka zhvilluar 36 ndeshje zyrtare me klubin spanjoll ku ka shënuar katër gola dhe ka asistuar në katër të tjerë.