Januzi: Gjendja e minatorëve në Trepçë jashtëzakonisht e rëndë, prioritet ligji për pensionim të parakohshëm

Prishtinë | 01 Mar 2026 | 08:00 | Nga Gzim Mujaj

Mungesa e investimeve në siguri dhe shëndet në punë, mosrritja e pagave që nga viti 2016 dhe nevoja urgjente për miratimin e një ligji për pensionim të parakohshëm janë çështjet kryesore që po i rëndojnë minatorët e Trepçës.

Kështu deklaroi për Ekonomia Online kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në ndërmarrjen Trepça, Ibrahim Januzi, duke theksuar se gjendja aktuale po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e minatorëve.

“Po, siç e dini tashmë rëndom mungesa e qeverisë i ka përfshirë të gjitha profesionet dhe të gjitha profilet në vendin tonë. Vonesa e qeverisë ka ndikuar në jetën e qytetarëve, po ashtu edhe në jetën e vetë minatorëve në raport me kushtet e punës dhe çështjet sociale. Sa i përket kushteve të punës, nuk ka ndonjë përmirësim dhe gjendja është jashtëzakonisht shumë e rëndë për shkak të mungesës së investimeve në aspektin e çështjeve të sigurisë dhe shëndetit në punë. Dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e vetë minatorëve”, tha ai.

Ai theksoi se prioritet i menjëhershëm duhet të jetë zgjidhja e çështjeve sociale përmes një ligji të veçantë për minatorët, që garanton pensionim të parakohshëm dhe trajtim të dinjitetshëm,

“Prioriteti në këtë mandat duke marrë për bazë edhe njohuritë edhe rrethanat e informimit që i kam për gjendjen e ndërmarrjeve, konkretisht ndërmarrjen Trepça, prioritet kryesor është çështja sociale e vetë minatorëve që është një ligj për minatorët, që është pensionimi i parakohshëm me standardet e duhura, me një pension të dinjitetshëm, dhe normal po bëhet fjalë edhe për njohjen e sëmundjeve profesionale dhe trajtimin e tyre, dhe gjithashtu marrjen e obligimeve të shtetit për trajtimin e minatorit, sepse të punosh nëntokë për 40 vite është e pamundur të mos të kesh sëmundje profesionale”, tha ai. 

Duke folur për pagat, Januzi tha se minatorët nuk janë të kënaqur me nivelin aktual të të ardhurave, por kanë treguar mirëkuptim për shkak të gjendjes financiare të ndërmarrjes.

“Normal me paga nuk është që jemi shumë të kënaqur, po gjendja financiare e ndërmarrjes këto vite nuk ka qenë shumë stabile dhe ka qenë gjendje e rëndë ekonomike. Ne si minatorë kemi pasur konsideratë që ndoshta deri tash nuk është që kemi bërë presion apo nxitje për ndonjë rritje page, mirëpo këtë vit duhet të jetë me patjetër një rritje, sepse duke marrë për bazë inflacionin dhe prej vitit 2016 nuk kemi ndonjë rritje page”, tha ai. 

Një nga shqetësimet më të mëdha, sipas tij, mbetet mikroklima në minierë.

“Mendoj që më shumë duhet të investohet në aspektin e mikroklimës, në standardet e duhura, në temperatura dhe lagështi të duhura sipas standardeve, parametrave stabil që janë. Këto janë çështjet kryesore sa i përket rrobave, pajisjeve nuk është që për momentin në këtë vit, nuk është që kemi qëndruar jashtëzakonisht shumë keq, ka pasur një lëvizje pozitive, mirëpo ajo që është çështja kryesore e cila po ndikon drejtpërdrejt në shëndet, është çështja e mikroklimës në minierë dhe kushteve të punës”, tha ai.

Ai shtoi se, pavarësisht gjendjes jo të kënaqshme, ka hapësirë për përmirësim nëse ka vullnet institucional dhe investime konkrete

“Gjendja, normal, gjendja është në aspektin e kushteve nuk është e duhura, nuk është e mirë, nuk është e mjaftueshme. Mirëpo kapacitetet mund të rriten edhe mund të përmbushen këto kërkesa sepse me një vullnet dhe me një investim nga qeveria, me ndihmë nga qeveria konkretisht dhe investime nga ndërmarrja, disa gjëra elementare bazike mund të përmirësohen”, tha ai.

Të ngjashme