Ministrja japoneze e Punëve të Jashtme, Yoko Kamikawa është takuar me homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla.
Ministria japoneze e Punëve të Jashtme ka njoftuar se dy ministret për 45 minuta kanë biseduar për disa çështje.
Kamikawa ka deklaruar se Japonia vlerëson rëndësinë e madhe për prosperitetin e qëndrueshëm nëpërmjet anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kamikawa ka thënë se Japonia mbështet zgjidhjen e çështjeve nëpërmjet dialogut Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE-ja dhe se është e rëndësishme që të zbatohen marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe kryerjen e obligimeve nga implementimi i aneksit të marrëveshjes.
Dy ministret gjithashtu kanë diskutuar edhe për zhvillimin ekonomik.
Kamikawa ka përmendur fabrikën e kërpudhave japoneze “shiitake” në Kosovë, e cila, sipas saj, është një prej më të mëdhave në Evropë.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar përkrahjen e Kosovës për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.